Primaret në Tiranë, Elbasan dhe Durrës/ 6 nëntori, afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit të kandidatëve
Të gjithë ata që aspirojnë për tu bërë pjesë e primareve për përzgjedhjen e kandidatëve për kryebashkiakë në bashkitë Tiranë, Durrës dhe Elbasan do të duhet të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm deri me 6 nëntor ora 20:00 në selinë qendrore te PDSH.
Pas këtij afati nuk do të pranohet asnjë aplikim, pasi dokumentacioni do ti kaloje Kryesisë së PDSH për vlerësimin e kandidaturave.
Degët e PD do të duhet të marrin masa për përcjelljen e njoftimit te të gjithë kandidatet e interesuar duke organizuar aktivet e seksioneve dhe grupseksioneve.
Në udhëzimin e shpërndarë për mediat, PD sqaron se kandidatët për primaret duhet të plotësojnë një sërë dokumentacionesh duke nisur nga Formulari i Kandidimit, tek jetëshkrimi, aktiviteti profesional si dhe deklaratë për respektimin e Etikës dhe Integritetit.
Për kandidatët e propozuar nga anëtarësia, ngarkohet që çdo degë e PD-së, në takimet që zhvillon me anëtarësinë, të marrë emrat se kë preferojnë ata të kandidojë për primaret.
Secili prej kandidatëve të propozuar, do të duhet të plotësojnë dokumentet dhe ti dorëzojnë pranë Sekretariatit Organizativ në Qendër.
Ndërsa për kandidatët e vetëpropozuar, ata duhet të paraqesin në degë dokumentet e kërkuara plus konfirmimin për vetëkandidimin.


