Ikona e kinematokrafisë shqiptare feston 79 vjetorin, urimi i veçantë i Luan Ramës për Roza Anagnostin

Artistja e shquar shqiptare Roza Anagnosti feston sot 79 vjetorin.

Në një ditë të veçantë për këtë artiste që i dha jetë artit shqiptar nuk kanë munguar as urimet.

Ish deputeti dhe moderator i emisionit “Drejt Luan Rama përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook ka uruar Anagnostin.

“E sot, në datën e lindjes së saj, du me e uru Rozën, por edhe Taqon bashkë me të: gëzuar ditëlindjen dhe ju paçim të dyve jetëgjatë dhe me shëndet të mirë si sot, edhe mot, dhe mot pas moti festofshi bashkë një shekull me datëlindje!”, shkruan Rama.

Postimi i plotë:

"Në datën e lindjes:

ROZA E BUKUR QË U BË

EDHE ARTISTE E MADHE

Për Roza Xhuxhën qe një fat i madh që lindi në Shkodër, ku përveç prej bukurisë pothuaj magjepsëse, do të përveçohej ndër shoqet e brezit të vet edhe për talentin e madh, falë të cilit do t’i hapeshin dyert e Teatrit “Migjeni”, këtij tempulli magjik të kulturës shqiptare, ku do të gjendej përkrah artistëve të mëdhenj të këtij teatri - shkollë, që i parapriu artit teatror dhe kinematografik në Shqipëri.

Mandej, regjisori Kristaq Dhamo do ta ftonte në filmin e tij “Detyrë e posaçme”, prej nga ku Roza që do të bëhej më pas Roza Anagnosti, do të niste karrierën e saj prej një ylli të vërtetë kinemaje, duke qenë ndër më të shquarat e filmit shqiptar.

Me një temperament dhe ndjeshmëri brilante, falë botës së saj të pasur dhe mirësisë njerëzore që për Rozën është një vlerë e qenësishme, me plastikën e përkryer dhe thjeshtësinë imponuese prej një zonje që e tillë është edhe në jetën e përditshme e jo vetëm në skenë apo në ekran, Roza Anagnosti u bë dhe mbetet ndër ato artiste që meriton mirënjohjen dhe dashurinë e të gjithë atyre që kanë patur rastin ta shohin qoftë edhe një herë të vetme në skenën e teatrit apo në ekranin e filmit.

Përkrah regjisorit të madh, bashkëshortit të saj Dhimitër Anagnosti, të dy bashkë do të bëheshin çifti më i famshëm i artistëve shqiptarë, duke qenë të tillë edhe sot, tek i shikon gjithmonë bashkë në dashurinë dhe mirësinë e tyre.

E sot, në datën e lindjes së saj, du me e uru Rozën, por edhe Taqon bashkë me të: gëzuar ditëlindjen dhe ju paçim të dyve jetëgjatë dhe me shëndet të mirë si sot, edhe mot, dhe mot pas moti festofshi bashkë një shekull me datëlindje!

(Në foto me artistët Roza dhe Dhimitër Anagnosti dhe vajzën time Tea, në ceremominë e dekorimit të regjisorit të madh me titullin “Nderi i Kombit”)."