PD hap procesin për primaret në Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Ja si veprohet në rast se refuzohet kandidatura
Ora News zbardh udhëzimin e Partisë Demokratike mbi afatet dhe procedurat e marrjes së propozimeve për kandidatët e PD-së në primaret 2023 në bashkitë Durrës, Tiranë dhe Elbasan.
Udhëzimi mban datën 24 tetor.
Sipas tij çdo degë duhet të mbledhë propozimet për kandidatët e PDSH në primare në takimet me anëtarësinë ne nivel seksioni apo grupseksioni.
Emrat e kandidatëve të propozuar nga anëtarësia do të kontaktohen nga dega që të plotësojnë dokumentet ku do të përfshihen:formulari i kandidimit, jetëshkrimi, deklarata për respektimin e e etikës dhe integritetit gjatë fushatës, vetëdeklarim për plotësimin e kushteve statutore dhe formulari vetjak.
Në rast se personat e përzgjedhur për të garuar në primare do të refuzojnë të jenë kandidatë, dega siguron nga ai marrjen e një konfirmimi me shkrim për refuzimin e kandidaturës.
Dokumentet do të dorëzohen pranë sekretariatit organizativ në qendër. Afati për dorëzimin e dokumenteve do të njoftohet në ditët në vijim.
