Pritshmëritë për Samitin BE-Ballkani Perëndimor, Rama entuziast: Të zbresin njëherë në Tiranë të gjithë udhëheqësit e Europës

Samiti i radhës BE-Ballkani Perëndimor do të zhvillohet më 6 dhjetor në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama u shfaq shumë entuziast më tepër për mbajtjen e tij në vendin tonë sesa rreth asaj çfarë do të prodhojë.

Rama: Pritshmëria ime është që të vijnë njëherë të gjithë këtu, të zbresin në Tiranë të gjithë udhëheqësit e Europës se këta të Ballkanit kanë ardhur shpesh dhe natyrisht duke qenë një Samit i fokusuar te Ballkani Perëndimor të diskutojmë për këto tema, të shikojmë se çfarë është bërë dhe se çfarë mund të bëhet dhe do të bëhet bashkarisht për vitin e  ardhshëm deri në samitin tjetër.

Tanimë është krijuar një sinergji shumë pozitive mes BE dhe Ballkanit Perëndimor dhe pavarësisht se ne nuk jemi BE atë E na e kanë kuptuar mirë tani dhe e konsiderojnë me një vlerë të barabartë, europianë këta, europianë ne. Këta kanë dhe një B përpara ne jemi vetëm E, por jemi europianë dhe fatet në gjërat e mëdha i kemi të përbashkëta. Në këtë aspekt kemi bërë avancime historike, në raportin mes Shqipërisë dhe BE dhe në raportin mes rajonit ku Shqipëria ka një rol të dorës së parë dhe BE, historike.

 Por presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, ishte më e qartë  duke renditur dhe çështjet që do të diskutohen.

Ursula Von der Leyen: Pritshmëritë tona janë se ne do të diskutojmë situatën gjeopolitike. Sigurisht në qendër të këtyre diskutimeve do të jetë kjo lufta e tmerrshme që Rusia po bën në Ukrainë dhe sesi mund të mbështesim më tej Ukrainën sepse ne jemi shumë të qartë se ne do të qëndrojmë krah Ukrainës për aq kohë sa të duhet dhe mendoj që edhe energjia do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në këto diskutime me të gjitha ato pasoja që janë përmendur tashmë në këtë konferencë për shtyp.

Do kemi dhe tema të tjera si infrastruktura por edhe sesi do të vijojmë të trajtojmë krizën.  Po ju dëgjoja me kujdes kryeministër. KE e ka bërë të mundur që edhe për shtetet anëtare të merren me këto fitime kaq të larta të këtyre kompanive, kanë të ardhura supermadhore që as nuk i kanë imagjinuar. Ne kemi marrë një pjesë të këtyre fitimeve për t'ua dhënë shteteve anëtare që të mbësheten familjet dhe bizneset në nevojë. Do të diskutojmë dhe zhvillimin ekonomik por edhe ato çështje që do jenë aktuale në atë kohë.

Cilido qoftë fokusi i atij Samiti, Ursula Von der Leyen u shfaq e sigurt në një gjë.

Ursula Von der Leyen: Një gjë që unë pres që të diskutohet dhe e di që nuk do të zhgënjehem në këtë gjë është mikpritja e mrekullueshme e Shqipërisë dhe e di që ka për të qenë një Samit shumë i këndshëm këtu në Shqipëri.

Ndërsa shefi i qeverisë shfrytëzoi edhe një takim tjetër të rëndësishëm për të atakuar median.

Rama: Që bashkë me gjithë delegacionet që do vijnë në Tiranë me 6 dhjetor do të vijnë dhe shumë gazetarë të cilët i përkasin kategorisë gazetarë që merren me politikë dhe të cilët pjesa më e madhe rregullisht kanë menduar dhe mendojnë që Shqipëria është një vend i rrezikshëm. Do të vijnë këtu dhe do të ikin me të njëjtën mendje që ikin të gjithë kur e shohin Shqipërinë, që Shqipëria ka vetëm një rrezik, që të bën të dashurohesh me të. Këtë rrezik e keni kaluar ju, prandaj e keni humbur dashurinë për të.