Ibrahim Lici mesazh audio nga Turqia: Jetoj i lirë, nuk jam arrestuar
“Jam i lirë në Turqi nuk jam arrestuar!” Ky zë pretendohet se i përket Ibrahim Licit, një prej 5 personave në listën e më të kërkuarve të Policisë së Shtetit si i dyshuar për vrasje në Shkodër.
I ashtuquajtur "Fantazma", sfidon hapur autoritetet shqiptare ndërsa me një audiomesazh thotë se po e kalon i lirë në Turqi arratinë nga përballja me drejtësinë për akuzat.
Me zë, i riu që pretendon se është Ibrahim Lici, mohon përfshirjen në dy vrasje të bujshme në një sagë krimesh në kryeqendrën e veriut.
Për vrasjen e Endri Mustafës në vitin 2021, ai thotë madje se ka dorëzuar prova që e rrëzojnë akuzën dhe pret vendimin e gjykatës.
"Lidhur me ngjarjen për të cilën akuzohem për vrasjen e Endri Mustafës kam dorëzuar kamerat në prokurori dhe qelizat telefonike që vërtetojnë që unë kam qenë në Tiranë në momentin që ka ndodhur krimi. Kjo është e vërtetuar me pamje dhe qeliza telefonike. Unë pres vendimin e gjykatës për të zbardhur ngjarjen për të çuar përpara drejtëssisë autorët e vërtetë. Edhe për vrasjen e vëllezërve Bilali nuk kam qenë asnjëherë nën hetim nga prokuroria dhe jam shpallur në kërkim nga policia si person për tu marrë në pyetje vetëm se nuk jam gjetur në banesë.
Nuk kam patur asnjëherë konflikt me vëllezërit Bilali. Shumë e çuditshme të kërkohet ekstradimi im në një kohë që nuk jam arrestuar dhe i bëj thirrje policisë të dalin në deklaratë se ku dhe kur më ka arrestuar sepse unë jam i lirë dhe në pritje të drejtësisë. I bej thirrje policisë të dalin në deklaratë se ku dhe kur më ka arrestuar sepse une jam i lirë dhe në pritje të drejtësisë. Jetoj i lirë në Turqi dhe pres të zbardhet ngjarja. Fotot e mia tregojne qartë jetën e lirë që bëj në shtetin turk".
Lajmi për arrestimin në Turqi të Ibrahim Licit doli pas publikimit të një shkrese drejtuar prokurorisë së Shkodrës, ku kërkohej dosja penale e të riut me qëllim nisjen procedurës së ekstradimit.

