Gazi lotsjellës vrau mbi 130 persona në stadium, ja detajet

Ka nisur zbardhja e shkaqeve që çuan në vdekjen e më shumë se 130 personave pas një ndeshjeje futbolli në stadiumin Kanjuruhan, Indonezi, më 1 tetor 2022.

Sipas një ekipi të autorizuar për mbledhje faktesh, arsyeja kryesore e vdekjeve masive, ishte hedhja e gazit lotsjellës. Ministri Koordinues i Sigurisë Mahfud MD tha se ekipi i përbërë prej zyrtarëve qeveritarë, ekspertëve të sigurisë dhe futbollit janë akoma duke analizuar toksicitetin e gazit dhe procedurat që u përdorën në shpërndarjen e turmës.

Shkaqe të tjera që çuan në këtë tragjedi, shihet të jenë edhe korridoret e ngushta dhe mbyllja e rrugëve dalëse.

KËTU LAJMET MINUTË PAS MINUTE

Autoritetet Indoneziane dhe Shoqata Indoneziane e Futbollit (PSSI) janë nën kritika dhe investigim pasi në rregulloren e organit qeverisës të Futbollit (FIFA), përdorimi i gazit lotsjellës është i ndaluar.

Sipas këtij ekipi faktmbledhës, policët në detyrë nuk ishin në dijeni të kësaj rregulloreje dhe kanë përdorur masa “ekstreme” pa bërë dallim.

Policia, duke u munduar të zvogëlojë përgjegjësinë, ka deklaruar se korridoret dhe dyert e ngushta e përkeqësuan situatën. Organet drejtuese të Policisë dhe Ushtrisë, nga ana tjetër po hetojnë dhjetëra efektivë të cilët ishin në detyrë.

Ministri Mahfud deklaroi se ka dërguar në presidencë një listë hetimesh bashkë me rekomandime prej 124 faqesh.

Hetuesit dolën në përfundimin se Shoqata Indoneziane e Futbollit (PSSI) dhe organizatori i ndeshjeve PT Liga Indonesia Baru kanë qenë neglizhente.

Ndërhyrja e FIFA në këtë hetim vjen pasi është planifikuar që vitin e ardhshëm Indonezia të presë Kupën e Botës U20.