Tragjedi në Indonezi: 129 persona të vdekur dhe 180 të plagosur pas ndeshjes së futbollit
Të paktën 129 persona kanë vdekur dhe 180 të tjerë janë plagosur, pasi kaosi dhe dhuna shpërtheu të shtunën pas një ndeshje futbolli në ligën indoneziane mes dy skuadrave më të mëdha të vendit.
Mbështetësit e Arema FC dhe rivalja Persebaya Surabaya u përleshën pasi ekipi vendas Arema FC u mund 3-2 në një ndeshje në qytetin Malang në Java Lindore.
Mbështetësit nga ekipi humbës "pushtuan" fushën dhe policia hodhi gaz lotsjellës, duke shkaktuar një rrëmujë që çoi në raste asfiksimi, tha shefi i policisë së Java-s Lindore, Nico Afinta gjatë një konference për shtyp pas ngjarjes.
"Para së gjithash, ndodhi një trazirë," tha Nico. “Ishte bërë anarkike situata. Tifozët filluan të sulmojnë oficerët, ata dëmtuan makina.”
Dy oficerë policie ishin mes të vdekurve dhe 180 persona u plagosën gjithashtu, tha shefi i policisë, duke shtuar se përplasja ndodhi kur tifozët u larguan për në portën e daljes.
Videot e filmuara nga brenda në stadium deri në orët e vona të natës dhe të shpërndara në rrjetet sociale treguan tifozët, të veshur kuq e blu, duke u futur në fushë dhe duke u përleshur me forcat indoneziane të sigurisë.
Ministri i Sportit dhe Rinisë Zainudin Amali tha se ai ka kërkuar një hetim të plotë mbi tragjedinë për të "përcaktuar palët përgjegjëse".
I vendosur në Java Lindore, Stadiumi Kanjuruhan përdoret kryesisht për ndeshje futbolli dhe vlerësohet të mbajë deri në 42,500 njerëz.
Ndërsa zyrtarët nuk kanë konfirmuar ende se sa njerëz ishin të pranishëm në stadium gjatë ndeshjes të së shtunës, pamjet video dhe fotot e marra nga tifozët treguan tribuna plot me njerëz.
Shoqata e Futbollit Indonezian (PSSI) ka pezulluar ndeshjet javën e ardhshme si pasojë e tragjedisë vdekjeprurëse dhe e ka ndaluar Arema FC që të presë ndeshjet për pjesën tjetër të sezonit.

