Juventus, lojtarët rebelohen kundër trajnerit Massimiliano Allegri

Situatë e rënduar në kampin juventin ku lojtarët kanë dalë kundër vendimit të Massimiliano Allegrit për t’u grumbulluar të veçuar pas humbjes ndaj Maccabit. Trajneri toskan që ka vendosur të veprojë ashpër dhe me një rregullore të re ka gjetur kundërshtimin e skuadrës që nuk e ka pranuar aspak këtë vendim që merret në raste ekstreme nga trajnerët për të evituar kontaktin me botën e jashtme.

Në prag të derbit me Torinon, një grup lojtarësh kërkuan shkurtimin e periudhës së grumbullimit ndërsa pati përplasje të forta verbale mes palëve që e kanë tensionuar edhe më shumë situatën në kampin bardhezi. Sipas lojtarëve, trajneri ka krijuar një distancë të madhe me ta, aq sa ka ndikuar edhe në lojën e skuadrës ku repartet nuk funksionojnë më si një i vetëm.

Në 24 korrik, familja Agnelli do të celebrojë 100 vite në krye të klubit dhe pronari John Elkann mund të nisë një erë të re për një Juventus fitues duke paralajmëruar një revolucion të mundshëm që mund të prekë jo vetëm skuadën aktuale por edhe drejtuesit më të lartë të klubit.