Ëndërr e fikur për Ballkanin, Sivasspor kthen ndeshjen brenda 9 minutave (VIDEO)

Mrekullia nuk përsëritet dhe Sivasspor bën atë që një javë më parë e bëri Ballkani në Turqi. Miqtë  largohen me një fitore të vuajtur nga Prishtina ku kampionët e Kosovës zhvilluan një tjetër 90 minutësh heroik por këtë herë pa pasur fatin e një tjetër 3 pikëshi që do t’i kishte ndihmuar shumë.

Kaluan të parët në avantazh më Thaqin djemtë e Ilir Dajës por në pjesën e dytë ndryshoi e gjithë rrjedha e ndeshjes. Brenda 9 minutave, Sivasspor shënoi dy gola me Arslan dhe Angielskin duke kthyer edhe gjithë tablonë e ndeshjes me dy fytyra për Ballkanin.

Humbje që komplikon rrugëtimin e skuadrës nga Suhareka në UEFA Conference League. Në grupin G, kryesimin tashmë e kanë Sivasspor dhe Cluj me nga 7 pikë, ndërsa Ballkani dhe Slavia e Pragës ndjekin me nga 4.

Në duelet e radhës, skuadra kosovare sfidon rumunët në transfertë ndërsa Sivasspor duelon me çekët.