Zbardhen detaje të reja nga arrestimi i Martina Pajollarit lidhur me vrasjen e Martin Çeços

Ka shkuar në  katër numri i personave të arrestuar për vrasjen e 26 vjeçarit Martin Çeço në Kolanec të Maliqit, në 18 qershor të këtij viti. Në pranga ka rënë edhe një vajzë e dyshuar si bashkëpunëtore në vrasjen e të riut, ndërsa ajo ishte e dashura e Çeços.

Policia e Korçës ka arrestuar personin e katërt në lidhje me vrasjen e 26 vjeçarit Martin Çeço më 18 qershor të këtij viti.

Në pranga ka rënë Martina Pajollari 18 vjeç, e cila akuzohet si bashkëpunëtore në vrasje së bashku me tre personat e tjerë, tanimë të arrestuar,  Bleti Angjo, Valter dhe Edlir Mollaj.

Burimet pranë grupit hetimor, kanë thënë se pikërisht 18 vjeçarja ka qenë arsyeja e vrasjes së Çeços.

Martina Pajollari mësohet se kishte një lidhje me Çeçon dhe paralelisht një tjetër lidhje me Valter Mollajn.

Kur 18 vjeçarja ndodhej me Mollajn, mësohet se ajo i thoshte atij se Martini e detyronte që të qëndronin së bashku, gjë e cila sipas burimeve nuk rezulton te jetë e vërtetë.

Në këto kushte, Valter Mollaj së bashku me Edlir Mollaj dhe Bleti Angjon kanë organizuar vrasjen e Martin Çeços.

18 vjeçarja Martina Pajollari ka qenë në dijeni të plotë të planit të vrasjes, madje dyshohet se ka qenë prezente edhe në kohën kur 26 vjeçari është ekzekutuar me litar në fyt.

Trupi i pajetë i 26-vjeçarit Martin Çeço, u gjet në rezervuarin e fshatit Kolanec të Maliqit me 18 qershor.

Autorët, pasi e mbytën me litar, tentuan të inskenojnë një skenë vetëvrasjeje, duke i lënë shapkat e tij jashtë rezervuarit ku hodhën trupin.

Krimi u zbulua nga një shenjë në fytin e të riut.