Lita: Rama fjalim folklorik në KiE dhe për konsum të brendshëm
“Fjalimi i Ramës në KiE ishte i parapërgatitur prej 6 muajsh dhe më shumë ishte për konsum të brendshëm sesa për konsum të jashtëm.”
Kështu u shpreh gazetari Lavdrim Lita gjatë një interviste për Ora News me gazetarin Sebastian Zonja.
Lita madje e konsideron fjalimin e kryeministrit si ‘folklorik që i shërbente nevojave të tij për tu ridashuruar me shqiptarët e Kosovës pas darkave dhe fotove të herëpashershme me Vuçiç’.
Lavdrim Lita: Fjalimi i Ramës në KiE ishte i parapërgatitur prej 6 muajsh mesa arrita unë ta cilësoja dhe më shumë ishte për konsum të brendshëm sesa për konsum të jashtëm. Në nivelin ndërkombëtar apo europian gjërat janë të sanksionuara plotësisht. Këshilli i Europës nuk është organizëm si OKB ku mund të flitet për rezoluta apo gjëra që kanë ndikim të menjëhershëm. Fjalimi i Edi Ramës ishte më shumë për mendimin tim më shumë folklorik që i shërbente nevojave të tij për tu ridashuruar me shqiptarët e Kosovës pas darkave dhe fotove të herëpashershme me Vuçiç.
Gazetari shprehet se takimet e Ramës me Vuçiç shkaktojnë një reaksion jopozitiv në Kosovë për shkak të plagëve akoma të pathara.
Lavdrim Lita: Takimet e herëpashershme me presidentin e Serbisë që nuk janë vetëm takime në rang shtetëror por dhe përmes mekanizmave që kanë krijuar përmes “Open Balkan” apo organizmave të tjerë shkakton një reaksion jopozitiv në Kosovë për shkak të plagëve akoma të pathara, gjakun akoma nëpër familjet e Kosovës. Ka një traumë që duhen gjenerata të tëra të hiqen. Prania e një kryeministri shqiptar që darkon apo pi gota vere apo bisedon kaq afër me presidentin e Serbisë nuk pritet mirë në Kosovë por as në Serbi.
