Meta për zgjedhjet lokale: Synimi i PL-së, kthimi në këshillat bashkiakë ku s'ka opozitë

Rikthimi i opozitës në këshillat bashkiakë është synimi kryesor i partisë së lirisë në zgjedhjet lokale. Ilir Meta la të hapur kështu mundësinë e përfaqësimit me kandidatë të përbashkët me PD për kryetarët e bashkive. Ai foli edhe për raportin e fundit të KE për shqipërinë, i cili ka ngritur shqetësime për skandalin e incineratorëve dhe amnistinë fiskale.

Kreu i partisë së lirisë, Ilir Meta, ka lënë të hapur mundësinë e përfaqësimit me kandidatë të përbashkët me PD në zgjedhjet për kryetarët e bashkive. 

Sipas Metës, interesi primar i Partisë së Lirisë, është rikthimi i opozitës në këshillat bashkiakë ku mungon si pasojë e bojkotit në votimet e fundit.

"Më 29 tetor përmbyllim Konventën e Partisë së Lirisë në mënyrë që të konstituohoen të gjitha forumet drejtuese. Paralelisht kemi nisur dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore, ku prioritet i japim rikthimit të opozitës në këshillat bashkiak, parlamentet lokale, ashtu sikurse do të kontribuojmë në një fitore të opozitës në shkallë kombëtare”, tha Meta.

Në një konferencë për shtyp, Meta theksoi se raporti i fundit i KE për Shqipërinë ka ngritur shqetësime për trajtimin e mbetjeve në Tiranë.

Një tjetër pikë kritike, sipas kreut të Partisë së Lirisë, është amnistia fiskale dhe pasaportat e arta, të cilat janë konsideruar me rrezik për sistemin tatimor dhe pastrimin e parave.

Në daljen para medias, Meta tha se fjalimi i Ramës në Këshillin e Europës ishte antieuropian dhe këtë e tregoi edhe bojkoti që përfaqësuesit e shteteve i bënë darkës së organizuar nga misioni shqiptar atje.