Polemikat për fjalimin e Ramës në Strasburg, Veli: Të gjithë që i dolën kundër rusofilë, ai di vetëm të fitojë

Fjalimi i kryeministrit Rama në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit Europian solli reagime të shumta në Shqipëri dhe Kosovë pro dhe kundër.

Lulzim Veli, ekspert për çështjet europiane, në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj nuk heziton të etiketojë si rusofilë të gjithë ata që u pozicionuan kundër Ramës.

Veli: Këshilli i Europës e njollosi shumë Kosovën dhe Shqipërinë 11 vjet më parë, kryesisht ushtarët e UÇK me një akuzë shumë të rëndë pa bazë dhe të pavërtetuar. Iniciativën e mori kryeprokurorja Carla Del Ponte pas dokumentacionit dhe pregatitjes që erdhi nga Serbia dhe një parlamentar rus.

Pjesa shqiptare qoftë në Kosovë apo Shqipëri, të gjithë ata që u pozicionuan në kundërshtim me rezolutën apo atë çfarë tha Rama në Këshillin e Europës unë mendoj se kemi të bëjmë me një pjesë të rusofilëve.

Të gjithë ata që sot dalin kundër rezolutës së Shqipërisë dhe të Edi Ramës nuk janë gjë tjetër vetëm rusofilë. E bëjnë me vetëdije apo pavetëdije të mbetet në çështjen e tyre. Rezoluta në Kuvendin e Shqipërisë është miratuar me 140 vota pro, kemi të bëjmë me një jokonsistencë të politikës shqiptare.

Ai thotë se Edi Rama është një lider që nuk di të humbasë dhe në të gjitha betejat e tij ka dalë fitues.

Veli: Jam i sigurt se edhe kësaj radhe Rama do të dalë fitues në Këshillin e Europës.Kjo rezolutë duhet të miratohet dhe ti hiqet ajo pikë e zezë Shqipërisë dhe Kosovës.

Sa i takon liberalizimit të vizave, Veli thotë se BE ka bërë një padrejtësi të madhe ndaj Kosovës.

Përkundër propozimit të Francës për kushtëzimin e këtij procesi ai ka bindjen se 2023 do ta gjejë Kosovën pa regjim vizash.

Veli: Rrugëtimi i saj për liberalizimin e vizave i ka thyer të gjitha rekordet. Nuk kemi asnjë vend të dytë që ka pritur kaq gjatë për liberalizimin. Kosova i ka plotësuar kushtet që në 2018, me demarkimin e kufirit me Malin e Zi. Edhe pse Kosova humbi 8200 ha me këtë demarkim sërish vizat nuk i liberalizuan.

Ishte vetëm propozim, nuk është vendosur. Do ketë takime të tjera. Unë besoj se për shkak të procedurave shumë burokratike që janë në BE nuk mund të arrihet këtë vit, por 2023 do të jetë vit i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Polemikat për fjalimin e Ramës në Strasburg, Veli: Të
Rama në Asamblenë e KiE në Strasburg