Dyshohet se përplasi qëllimisht për vdekje ish kunatin, prokuroria kërkon 35 vite burg për 32-vjeçarin në Lezhë

Prokuroria e Lezhës ka kërkuar 35 vite burg për Albert Kacën i cili në shtator të vitit 2019 përplasi për vdekje me makinë ish-kunatin e tij Ylli Mena. Dhënia e pretencës është dhënë në mungesë pasi Kaca vijon të jetë i arratisur, ndërsa prej 3 vitesh nuk ka asnjë gjurmë të tij.

32-vjeçari Albert Kaca i cili përplasi për vdekje me makinë ish-kunatin e tij në Ishull-Lezhë, rrezikon dënimin me 35-vite burg.

Kjo masë  dënimi është kërkuar nga prokuroria e Lezhës, e cila dha në gjykatë konkluzionet përfundimtare në lidhje me këtë ngjarje.

32-vjeçari Kaca akuzohet për veprën penale "Vrasje e kryer brenda rrethit familjar" dhe sipas organit të akuzës është arritur të provohet se i pandehuri e ka goditur me dashje për vdekje me makinë ish-kunatin e tij Ylli Mena.

Tashmë do të jetë trupa gjykuese e cila do të japë vendimin përfundimtar për 32-vjeçarin Albert Kaca, i cili vijon të jetë në arrati, pasi pas ngjarjes arriti të largohet dhe nuk është arritur të prangoset nga policia.

Ngjarja e rëndë ndodhi me 21-shtator të vitit 2019-të në Ishull-Lezhë, teksa 32-vjeçari Ylli Mena po lëvizte me biçikletë u përplas nga një automjet dhe gjeti vdekjen disa orë më vonë në spitalin e Traumës në Tiranë, pasi nuk mundi tju mbijetojë plagëve të marra.

Fillimisht u dyshua për aksident, por pas veprimeve hetimore rezultoi se ngjarje ishte e qëllimshme dhe policia shpalli në kërkim 32-vjeçarin Albert Kaca. Autori dhe viktima kishin pasur konflikte më njëri tjetrin që pas divorcit te Ylli Menës me motrën e 32-vjeçarit Kaca.