"Agaçi", Çollaku: Përshëndes guximin e SPAK, mori njeriun e dytë të Kryeministrit për megaskandalin
Deputeti, Kreshnik Çollaku, e cilëson një lëvizje të mirë të SPAK marrjen në pyetje të Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi.
Në Rtv Ora, duke uruar që mos të jetë thjesht show i radhës, ai thotë se Prokuroria e Posaçme duhet mbështetur për ti shkuar deri në fund megaaferës së incineratorëve.
Çollaku: Është lëvizje e mirë, shpresojmë mos të jetë një lëvizje butaforike. Por është për tu përshëndetur fakti që SPAK ka guxuar apo ka arritur të marrë njeriun e dytë të godinës së Kryeministrit për një çështje e cila është një megaskandal i fëlliqur, ndoshta më i madhi i këtyre viteve. Është një shenjë e mirë, duhet mbështetur SPAK në këtë hetim të plotë pa imunitete, pa u drojtur dhe pa kursyer askënd kur bëhet fjalë në këto vepra. Le të shpresojmë se kjo do të vazhdojë të japë dhe produkte të tjera.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, është marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme SPAK pasditen e kësaj të premteje, 14 tetor 2022.
Mësohet se ai u është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve për të dalë prej aty rreth orës 17:30, ashtu si edhe duket në këtë foto.
E pyetur nga Ora News, prokuroria ka bërë të ditur se nuk ka informacione për të ndarë me publikun në këtë rast, duke mos dhënë detaje të mëtejshme.
Megjithatë besohet se Agaçi mund të jetë marrë në pyetje për hetimin e nisur mbi incineratorët dhe pse dosja është ndarë në tre pjesë deri më tani.
