Maliq/ U gjet i vdekur në rezervuar, 26 vjeçarin e kishin mbytur në litar

I riu Martin Çeço që u gjet pa jetë në rezervuarin e fshatit Kolanec në Maliq (16 qershor) është vrarë për arsye xhelozie. Policia ka vënë në pranga tre persona të dyshuar për krimin ndërkohë që ngjarja është zbardhur nga shenjat e dhunës në trupin e viktimës dhe dëshmia e vajzës me të cilën ai shoqërohej muajt e fundit. E reja u ka treguar hetuesve se më herët ka qenë e lidhur me një prej autorëve i cili e ka vrarë 26-vjeçarin për xhelozi.

Shenjat në qafën e 26 vjeçarit Martin Çeço, i cili u gjet i vdekur në rezervuarin e fshatit Kolanec të Maliqit të enjten (16 qershor 2022) shtynë grupin hetimor që rastin ta hetonte ngjarjen si vrasje. Dy ditë pas gjetjes së trupit, policia ka arrestuar shtetasit Bleti Angjo, Valter Mollaj, dhe Edlir Mollaj si të dyshuar kryesor për vrasjen e Çeços.

"Falë punës profesionale hetimore, provave dhe informacioneve të grumbulluara nga grupi hetimor, u dokumentua se tre shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 12.06.2022, kanë marrë viktimën në fshatin Kolanec, dhe pasi e kanë vrarë (mbytur), për motive të dobëta, kanë hedhur trupin e tij në rezervuar, për të mbuluar ngjarjen dhe për të inskenuar një vetëvrasje të 26-vjeçarit" informoi sot (18 qershor 2022) policia e Korçës.

Lidhja intime 

Burimet bënë me dije se vrasja ka ndodhur për shkak se viktima, ishte i lidhur me ish-të dashurën e njërit prej autorëve, e cila rezulton të jetë në moshë të mitur.

26-vjeçari komunikonte prek kohësh me vajzën, ndërsa lidhjen e kanë mesuar autoret të cilët i kanë kërkuar Çeços të mos  vazhdojë, por ai nuk është ndalur.

Në këto kushte autorët, raportin mes të rinjve ja kanë bërë të ditur dhe babait të viktimës, por duket se as presioni i të atit nuk e ka ndaluar 26 vjeçarin të ndërpriste komunikimet me vajzën.

Dëshmia

“Ora News” mëson se ka qënë pikërisht vajza e mitur që ka orientuar policinë tek autorët e krimit dhe pistën e vrasjes së Martin Çeços.

Ajo është pyetur gjatë nga grupi hetimor ku tregoi konfliktin që viktima kishte me njërin nga personat e arrestuar tashmë si autor i krimit. Sipas vajzës, ajo kishte ndërprerë një marëdhënie dashurie me Bleti Angjon, dhe më pas ishte lidhur me 26-vjeçarin Martin Çeço. Por kjo situatë nuk i ka pëlqyer, Bleti Angjos, i cili ka filluar të kërcënojnë vajzën dhe më pas të dashurin e saj të ri, Martinin.

Nata e fundit

Situata, është përshkallëzuar duke nisur një konflikt mes djemve. Natën kur dyshohet se ka ndodhur ngjarja me datën 12 qershor autorët e kishin thirrur Martin Çeçon rreth orës 23:00. Ai ka dalë siç ka qënë i veshur në shtëpi më tuta, bluzë dhe shapka. Tre autorët dyshohet se e kanë marrë të riun dhe e e kanë mbytur me litar, dhe hedhur në rezervuar, dhe për të krijuar idenë se ai është vetëvrarë kanë lënë edhe shapkat e viktimës buzë rezervuarit. Por ka qenë shenja e dhunës në qafën e viktimës që i orientoi hetuesit drejt vrasjes.

Familjarët e viktimës kanë pranuar se atë po e kërcënonin prej kohësh.

"Më thoshte kam një hall. Më tregonte se e kërcënonin, qante por nuk tregonte"  thotë motra e viktimës.

Bleti Angjo dhe dy kushërinjtë Valter dhe Edlir Molla, akuzohen për “Vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim.

Të arrestuarit 

- Bleti Angjo, 38 vjeç, banues në fshatin Peshkëpi, Pogradec (i dënuar më parë për vjedhje);

-Valter Mollaj, 43 vjeç, banues në fshatin Marjan, Korçë;

- Edlir Mollaj, 35 vjeç, banues në fshatin Marjan, Korçë.