Turku Farku Ozer kërkon të mos ekstradohet: Në Turqi më rrezikohet jeta
Gjykata e Elbasanit ka vendosur më 2 shtator 2022 masën e sigurisë arrest me burg për shtetasin turk Faruk Ozer, i cili është arrestuar në vendin tonë 3 ditë më parë. Ozer, jo vetëm që ka mohuar akuzat por ka thënë se ky që po i bëhet është një sulm politik. Ndërkohë që ka nisur procedura e ekstradimit, Avokatja e tij tha se do të apelojë çdo vendimin me qëllim ndaljen e ekstradimit të tij në Turqi.
Me pranga në duar i shumëkërkuari i drejtësisë turke Faruk Fatih Özer doli më 2 shtator 2022, para gjykatës së Elbasanit 72 orë pas arrestimit.
Në serancën me duar të mbyllura, Faruk Ozer ka thënë se ndaj tij po bëhet sulm politik, ndërsa kërkoi që të mos ekstradohej, procedurë e cila tanimë ka nisur.
“Ndaj meje është sulm politik. Mos më ekstradoni, më rrezikohet jeta në Turqi”,-mësohet të ketë thënë Ozer para gjykatës.
Pasi dëgjoj palët gjykata vendosi që Ozer do të qëndojë nën masën e sigurisë “arrest me burg” me qëllim ekstradimin e tij drejt Turqisë, vendim ky që sipas avokates turke do të apelohet.
Avokatja turke: “Ne do ta apelojmë vendimin për klientin tonë. Bëhet fjalë vetëm për politikë. Në mediat shqiptare dhe ato turke thuhen gënjeshtra për akuzat ndaj tij. Ne mund të themi se prokuroria e Turqisë dhe institucionet atje thuhet se dëmi është 20 milionë dollarë dhe jo 2 miliard dollarë siç thuhet në media. Ai nuk është personi përgjegjës për ato krime që e akuzojnë. Gjysma e familjeve të dëmtuara i kanë tërhequr pretendimet. Ka arsye politike. Ai erdhi si biznesmen në Shqipëri, erdhi për të investuar”
Arrestimi i Ozer bëri bujë në mediat turke, ndërsa solli në vendin tonë më 1 shtator Zv/drejtorin e Përgjithshëm të Policisë turke, njëkohësisht edhe Drejtor i Departamentit të Krimit të Organizuar, Resul Holoğlu.
Policia ra në gjurmët e Faruk Fatih Ozer rreth 10 ditë para se ai të arrestohej më 30 gusht 2022 ndërsa besohet se ai është mbajtur nën përgjim, deri në arrestimin e tij.
Më 20 prill të vitit 2021 ai u arratis nga Turqia ku akuzohet kishte mashtruar qindra qytetarë, të cilët investuan paratë në monedhën virtuale turke “Thodex”, një sipërmarrje e dyshuar si mashtruese që drejtohej nga Ozer.
Në dosjen hetimore e cila po gjykohet nga Gjykata e Lartë e krimeve në Stamboll, në aktakuzën kundër Ozer përmenden të paktën 2 mijë e 27 viktima, të skenës mashtruese të tij, ndërkohë që prokuroria atje ka kërkuar 40 mijë e 540 vite burg për akuzat e “krijimit dhe drejtimit të një organizate”, “pastrimit të vlerave pasurore që rrjedhin nga krimi” dhe "mashtrim i me pasoja të rënda"