“Mbreti” i kazinosë, si e "falimentoi" në tre muaj monopolin e basteve të lidhur me Ramën, Hoxha: Pas zhdukjes së Martinaj segmente të shtetit dhe rivalë

Ai është sot personazhi më i kërkuar në Shqipëri, fati i të cilit mbetet ende mister. Po flasim për Ervis Martinaj, i cili maj të këtij viti u shpall në kërkim nga SPAK pas dëshmisë së Nuredin Dumanit dhe me 11 gusht familjarët denoncuan zhdukjen e tij në polici.

Poli Hoxha, gazetar i njohur i kronikës, i ftuar në Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma teksa bën një kronologji të perandorisë së basteve dhe bixhozit në vendin tonë thotë se në zhdukjen e tij kanë dorë segmente të caktuara të shtetit së bashku me organizata rivale të tij.

Hoxha: Duhet të ketë lidhje. Çdo gjë është ekonomi.Që të zbardhim historinë e Martinaj duhet të ndjekim perandorinë financiare të tij. Pjesa e luanit të pasurisë dhe aktivitetit të biznesit të ligjshëm dhe të paligjshëm kanë qenë bastet sportive dhe lojërat e fatit. Në 2013 kur ju dëgjua emri për herë të parë Ervis Martinaj ka qenë një nga mbretërit e lojërave të fatit të makinave. U hoqën makinat po lulëzuan bastet.

Kur ka ardhur në pushtet Edi Rama ka pasur 450 pika bastesh dhe e ka lënë me 4000 e ca kur i mbylli. Ky lulëzim kaq i madh. Në atë kohë u dha një koncesion 10 vjeçar për një Bast Arena, për të cilin mediat thanë se është i vëllai i Ramës dhe disa biznesmenë shumë të afërt të tij. Bast Arena mori lojërat elektronike në distancë. Atëherë ndodhi një acarim i madh, 70% të tregut e kishin kompanitë e Vis Martinaj.

Mos mendo që një njeri që paguante deri në 18 mln euro në vit taksa ishte vetëm pas gjithë kësaj dhe ishte pa përkrahjen e shtetit. Arriti një moment që do futej një kompani tjetër dhe do kishte monopolin e lojërave online dhe për këtë duhej të mbylleshin pikat fizike.

Ky monopol nuk mbijetoi dot vetëm, tre muaj. Vangjush Dako mbushi autobusë me këtë. Ervis Martinaj i mori në telefon pronarët e saj, u tha nuk mund të merrni të gjithë tregun. Nuk mund të ndodhë. Dhe u tërhoqën. U bë një marrëveshje në heshtje që të gjithë do punojnë ilegalisht, në të zezë. Kur u mbyllën e kam thënë që do ndodhë një katastrofë e vërtetë.

Rama e vuri theksin te dëmi social por tani çdo telefon është kthyer në një pikë bastesh. Bastet online kur u bënë ilegale u dhjetëfishuan. Tani u zhduk Ervis Martinaj. Për mua kanë dorë të gjithë, përfshirë segmente të shtetit të bashkuara me organizata rivale.

Bëhet fjalë për territore, lufta bëhet për financa.Zhdukja e tij po hetohet nga policia dhe prokuroria e Kurbinit. Si ka mundësi ata të investigojnë të gjithë këtë zinxhir, luftë me banda?Ky duhet të ishte patjetër hetim i SPAK, nuk bëhet fjalë për individë.

“Mbreti” i kazinosë, si e "falimentoi" në tre

Gazetari foli edhe për zhvillimet e pritshme politike teksa dimë që sesioni i ri parlamentar do të nisë pikërisht me nismat e mazhorancës për spiunët e ish-Sigurimit dhe "non gratat".

Hoxha: Duket si proces që ka filluar dhe do shkojë deri në fund. Çështja është se këta e filluan thjesht si një proces për zotin Ilir Meta, siç e bën përgjithësisht kjo mazhorancë, kur do të bëjë një gjë krijon një situatë alarmante. Doli kryetarja e Kuvendit, ishte e tronditur.

Kjo duhet të ishte bërë me kohë faktikisht sepse pas certifikatës së virgjërisë që kanë dhënë dy komisionet Mezini dhe Bezhani, le që ka kaluar shumë kohë dhe e dimë si ishin ato komisione.

Autoriteti i Dosjeve ka thënë që bëhet fjalë për 8-12 deputetë. Deri këtu jemi në përbetimin e kryeministrit Rama për ta hequr plotësisht Ilir Metën, jo vetëm nga Presidenca. Ka dhe një presion të fortë ndërkombëtar për këtë çështje. Por Ramës i duhet votat. Do ti gjejë te opozita.

Lufta po bëhet në disa fronte. Ilir Meta po hetohet nga SPAK për pastrim parash dhe lobim.

Hoxha: Gjithë kjo që po bën Rama më duket si një përpëlitje për të mbrojtur veten e vet. Po e ndjejmë gjithandej nervozizmin, shterpësinë, korrupsionin. Shan Perëndimin, po nuk na ndihmuat se na erdhi dimri. Sot po bisedoja me një njeri që punon në institucionet financiare dhe tha ne rrezikojmë dhe pagesat, aq keq është buxheti.

Çfarë janë koncesione vijojnë dhe marrin para pavarësisht se në krizë. Vetëm dje dhe pardje janë blerë 6.2 mln euro energji. Është një rreth vicioz. Këta vetë nuk ikin, vota nuk i heq. E vetmja rrugë është rruga penale për të gjithë. Vendi nuk mund të fillojë një cikël tjetër 30-vjeçar.