Vlorë/ Autori që qëlloi drejt makinës ku ishin 2 policët njihet me 3 emra. Vijojnë kërkimet
Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i cili qëlloi me armë në drejtim të automjetit ku udhëtonin 2 punonjësit e policisë
Ngjarja u shënua mbrëmjen e 2 shtatorit 2022 në lagjen “Partizani”në Vlorë.
Personi në kërkim është një 37 vjeçar i njohur me tre identitete: Diego Haxhiraj alias Teki Haxhiraj alias Diego Hanaj, 37 vjeç, banues në Vlorë.
"Ky shtetas, rreth orës 19:40 të mbrëmjes së djeshme, duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen”, dyshohet se për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Audi”, me të cilin udhëtonin shtetasit Anxhelo Breshani, 25 vjeç, me detyrë punonjës i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Vlorë dhe Narko Mehmetaj, 27 vjeç, me detyrë punonjës i Policisë Kufitare Sarandë, të cilët nuk kanë pësuar dëmtime" informoi sot policia e Vlorës.
Gjatë krehjes së zonës, shërbimet e Policisë gjetën të braktisur, në lagjen “Partizani”, Vlorë, automjetin e autorit të dyshuar të ngjarjes.
Burimet e policisë së Vlorës sqaruan se automjeti që lëviznin dy policët mbrëmjen e 2 shtatorit 2022 ishte pa targa dhe xhama të zinj.
Kush eshte Diego Hanaj rikthimi ne Vlore
Hanaj është një emër i njohur për policinë pasi ka qenë i arrestuar për trafik droge ndërsa në janar 2022 i shpëtoi një atentati. Ai ishte rikthyer pak ditë më parë në Vlorë.
Mbrëmjen e 2 shtatorit po udhëtonte me makinën e tij Volkswagen kur është parakaluar nga makina Audi me xhama të zinj ku udhëtonin dy policët. Mjeti i paidentifikuar dhe lëvizjet e makinës kanë bërë që ai të dyshonte se po i bëhej atentat dhe ka qëlluar i pari.
Drejt makinës ku udhëtonin dy policët, Anxhelo Breshani, 25 vjeç, me detyrë punonjës i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Vlorë dhe Narko Mehmetaj, 27 vjeç, u qëllua të paktën 5 herë.
Dy policët shpëtuan pa lëndime ndërsa 37 vjeçari u largua dhe braktisi makinën jo shumë larg vendngjarjes dhe humbi gjurmët.
Vijon puna për kapjen e tij dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Materialet ndaj Dieog Haxhirajt iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”.
Në 2013 Haxhiraj u arrestua bashkë me disa persona të tjerë në kuadër të operacionit "Skela 1" ku u sekuestruan rreth 600 kg kanabis.

