Atentati në Vlorë, Salianji: Krimi ka kapur politikën, policia e pafuqishme, qytetarët të tmerruar
Deputeti demokrat, Ervin Salianji ka komentuar ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e sotme në Vlorë, ku u qëllua drejt makinës së 2 policëve.
Ai shkruan se u bë kohë që policia nuk kap kriminelët por krimi ka kapur policinë nëpërmjet drejtuesve të lidhur me politikën.
Sipas tij, kjo është arsyeja se pse ngjarjet e rënda kriminale ndjekin njëra-tjetrën dhe policia është e pafuqishme, vetëm kronikane e ngjarjeve të kobshme.
Salianji: U bë kohë që policia nuk kap kriminelët, por krimi ka kapur policinë nëpërmjet drejtuesve të lidhur me politikën! Kjo është arsyeja se pse ngjarjet e rënda kriminale ndjekin njëra tjetrën dhe policia është e pafuqishme, vetëm kronikane e ngjarjeve të kobshme! Shqipëria është e tronditur nga ngjarjet kriminale në Tiranë, Shkodër, Dibër, Vlorë!
Qytetarët janë të tmerruar nga mungesa e sigurisë, zbrazja e karikatorëve dhe ndaj punonjësve të policisë duhet zbardhur në mënyrë të menjëhershme, çdo goditje ndaj autoritetit të shtetit duhet ndëshkuar ashpër, ne mbështesim çdo punonjës të ndershëm të policisë që paguhet pak dhe është nën darën e krimit dhe të drejtuesve politikë të lidhur me ta, policia duhet të luftojë krimin jo të përdoret për të luftuar politikisht kundërshtarët e regjimit!

