Gjykata jep masën “Arrest me burg” për bosin turk të kriptomonedhave Fatih Ozer
Ka dalë ditën e sotme (2 shtator 2022) para gjykatës bosi turk i kriptomonedhave 28 vjeçari Fatih Ozer i shpallur në kërkim ndërkombëtar për mashtrimin e mbi 2 miliard dollarëve.
Gjykata ka dhënë masën “Arrest me burg” për Fatih Ozer.
Avokatja e tij mbrojtëse u shpreh se klienti është i pafajshëm dhe shuma për të cilën akuzohet është vetëm 20 milion euro. Qytetarët që kanë ngritur pretendimet janë duke u tërhequr nga akuzimet. Gjykata pasi u njoh me dy kërkesat nga prokuroria e Elbasanit, dha masë provizore.
Prokuroria kërkoi:
1. Miratimin e arrestimit provizor të shtetasit turk Faruk Fatih Özer të kryer nga oficerët e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.
2.Caktimin e masës provizore të sigurimit personal shtrënguese “Arrest në burg”, për shtetasin turk Faruk (Fatih) Özer, me qëllim ekstradimi e tij në Turqi.
Arrestimi i Fatih Ozer
Arrestimi i Fatih Ozer u krye në zonën e Himarës më 30 gusht, ndërsa policia kishte rënë në gjurmët e tij 10 ditë më parë përmes përgjimeve.
Gjatë operacionit, bashkë me shtetasin e shumëkërkuar, u shoqëruan dhe 2 shtetas te tjerë, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme, për të sqaruar pozitën e tyre procedurale në raport me personin e shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ozer i ishte shpallur në kërkim nga autoritetet turke në prill 2021 për mashtrim me pasoja të rënda përmes skemës së kriptomonedhave. Kompania përmes të cilës vepronte Faruk Fatih Özer shpalli falimentin, ndërsa ai u shpall në kërkim ndërkombëtar.
Atëherë u deklarua se “vlera e mashtrimit që shtetasi turk Faruk Fatih Özer ka kryer është rreth 2 miliard dollarë".


