“…Ata që kanë vjedhur vetëm lopët, si kam frikë…”, Çfarë deklaroi pak ditë para vrasjes Ismet Çekorja

Ismet Çekorja, personi i ekzekutuar pasditen e sotme (2 shtator 2022) në qytetin e Shkodrës, rezulton të jetë baxhanaku i Sokol Liçit, një prej emrave të njohur në qytetit verior.
Viktima kishte vetëm pak ditë që doli në media, duke deklaruar në një intervistë dhe akuzuar, se familjes së tij i ishte qepur shteti dhe bandat, për t’ja futur medoemos në burg të birin.
Dy ditë pas intervistës, Çekorja qëllohet për vdekje me armë zjarri.
Në daljen publikë të dy ditëve më parë Çekorja tha se djali i tij, nuk është pjesëmarrës në krimet që ndodhin në Shkodër, as në atë të fundit të plagosjes së Alban Bruçajt, dhe tregon incidentet kur siç thotë ai e “…ka kapur lapsi…”.
“E di si është puna, nganjëherë të kapka dhe lapsi. Herën e parë djalin tim ma kapën si përkrahës të autorit të krimit. Ai ka shkuar me gru dhe fëmijë, e i ka thënë Bajram a më pranon në shtëpi për 3 ditë sa të gjej shtëpi, se djali im ka qenë me shtëpi në Tiranë. Djalin tim ma futën në burg. Herën e dytë djali im më bëri burg për patentë. Herën e tretë, djali im kur u plagos polici, tek rruga e Shtojit më rrethuan shtëpinë dhe djali im bëri burg, ndërkohë që tjetri thoshte se droga është e imja dhe ky nuk ka punë fare. Për herën e fundit u them. Djali im në momentin e ngjarjes nuk ka qenë aty…".
Çekorja deklaronte se sulmet ndaj tij ishin të qëllimshme.
“…më rrethojnë shtëpinë, për çdo ngjarje që ndodh në Shkodër. Herën e fundit qëlluan me armë, djalin e Lad Bruçit dhe më nxjerrin djalin tim si autor të krimit. Unë qysh se kam lindur, nuk i kam bërë askujt keq. As unë as djali im. Janë bërë një grup bandash e banditë së bashku me banditë të veshur me pushtet, që djalin tim e kanë frikë dhe duan se s’bën të fusin djalin tim brenda. Nuk i kam frikë fare. As shtetin nuk e kam frikë. Ata që kanë vjedhur gjithë jetën lopët, nuk i kam frikë…”-deklaroi në media Çekorja.
Për atentatin e fundit të mbetur në tentativë ndaj Alban Bruçajt ndodhur më 25 gusht 2022 në Shkodër u shpallën në kërkim Bajram Çekorja dhe Tornato Fusha, djali i biznesmenit dhe ish-presidentit të Vllaznisë Valter Fusha.
Por Ismet Çekorja përmes një denoncimi për median deklaroi se djali i tij ishte i pafajshëm.