Kriza energjetike/ Rama nga Beogradi: Kemi para 7 muaj shumë të vështirë, për Shqipërinë duhen afro gjysmë miliard euro

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipërisë do ti duhen afro gjysmë miliardë euro për të përballuar krizën energjetike këtë dimër  që parashikohet të jetë i vështirë.

Rama tha se ai së bashku me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin e Maqedonisë do i drejtohen me një letër Bashkimit Europian për të kërkuar mbështetje financiare këto tre shtete.

Edi Rama: “Presim muaj shumë të vështirë. Parashikimet që ne kemi shpërndarë me presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut e me kolegë të tjerë për shpenzimet janë marramendëse.

Kemi para 7 muaj shumë të vështirë dhe për Shqipërinë kjo do të thotë në rastin më të mirë, afro gjysmë miliardi euro. Kjo do të shkojë për mbajtur sistemin, për të vazhduar furnizimin me energji dhe për të mbështetur konsumatorët. Ju e dini çfarë do të thotë kjo. Shpresojmë që të na dëgjojnë dhe të mund të  jemi dhe ne pjesë e ndarjes së kësaj përgjegjësie”

Rama foli dhe për vendimin që ka marrë për të mos prekur çmimin e energjisë për konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël dhe domosdoshmërinë e mbëshetjes financiare nga BE. 

Edi Rama: Në Shqipëri kemi marrë një vendim që unë nuk jam ende i bindur nëse është shumë ambicioz apo krejt i çmendur. Për të mos e prekur çmimin e energjisë elektrike për konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël. Sot vazhdojmë të kemi të njëjtin çmim që kemi pasur jo vetëm përpara luftës, por dhe përpara se të shfaqej kriza energjetike. Por kjo do të thotë qindra miliona euro që dalin nga arka e shtetit për të mbuluar shpenzimin, koston.

Këtu nuk është çështja vetëm e qindra milionave në Shqipëri apo e miliardave në Serbi. Këtu çështja është sa gjatë do të vazhdojë kjo histori dhe së dyti, mund të kesh para për energjinë, por nuk ke se ku ta blesh. Prandaj na duhet ky bashkëpunim.

Rama ftoi dhe liderët e vendeve të tjera të Ballkanit të bashkohen në këtë nismë që do i drejtohet shumë shpejt Bashkimit Europian.