"Për çdo vrasje në Shkodër më rrethojnë shtëpinë" Babai i Bajram Çekores mesazh policisë: Djali im s'ka lidhje me atentatin e Bruçajt

Ismet Çekorja, babai i Bajram Çekores, ky i fundit i dyshuar dhe i shpallur në kërkim si autor i atentatit të mbetur në tentativë ndaj shtetasit Alban Bruçi ka mohuar se djali i tij është i përfshirë në këtë ngjarje.

Bajram Çekorja është shprehur se djali i tij mbrëmjen e 25 gushtit në orën kur ka ndodhur atentati ndodhej në një mjedis i monitoruar nga kamerat e sigurisë dhe është gati tia vërë në dispozicion policisë për të hedhur poshtë akuzat.

Ismet Çekorja shprehet se prej tri vitesh policia e Shkodrës i është vënë në shpinë djalit dhe familjes së tij pasi për çdo ngjarje kriminale banesa e tyre rrethohet nga policia. 58 vjeçari mohon se djali i tij është i përfshirë edhe në ngjarjet e tjera kriminale për të cilat ka qenë i dyshuar.

“Ka 3 vite që djalit tim i është qepur shteti dhe bandat në shpinë. S’po më lënë djalin rehat. Për këtë i jam drejtuar mediave të më japin një zgjidhje aq sa kanë mundësi. Katër vite më parë kur vranë Arjan Ferracakun, që është nipi im, më kanë thirrur mua dhe djalin tim në polici. Unë si kriminel. Kur u vra  Fatos Ferracaku prap më thirrën mua dhe djalin. Pastaj u vranë vëllezërit Bilali, që i kam komshinj prej 100 viteshmë thirrën sërish mua me djalin. U plagos Admir Bajri, më thirrën si dëmtor edhe mua bashkë me gruan.

Çekorja thotë se sulmet ndaj tij janë të qëllimshme.

“ Më rrethojnë shtëpinë për çdo ngjarje që ndodh në Shkodër. Herën e fundit qëlluan me armë, djalin e Lad Bruçit dhe më nxjerrin djalin tim si autor të krimit. Unë qysh se kam lindur  nuk i kam bërë askujt keq. As unë as djali im. Janë bërë një grup bandash e banditë së bashku me banditë të veshur me pushtet që djalin tim e kanë frikë dhe duan sesbën të fusin djalin tim brenda.  Nuk I kam frikë fare. As shtetin nuk e kam frikë. Ata që kanë vjedhur gjithë jetën lopët nuk I kam frikë.

Kur nxjerrin foton e djalit tim Bajram Çekorja që është autori I krimit dhe më pas del dikush tjetër të paktën në media të thonë që personi nuk është autori i krimit.

Çekorja thotë se djali i tij nuk është pjesëmarrës në krimet që ndodhin në Shkodër, as në atë të fundit të plagosjes së Alban Bruçajt, dhe  tregon incidentet kur siç thotë ai e “ka kapur lapsi”

“E di si është puna, nganjëherë të kapka dhe lapsi. Herën e parë djalin tim ma kapën si përkrahës të autorit të krimit. Ai ka shkuar me gru dhe fëmijë e i ka thënë Bajram a më pranon në shtëpi për 3 ditë sa të gjej shtëpi, se djali im ka qenë me shtëpi në Tiranë. Djalin tim ma futën në burg. Herën e dytë djali im më bëri burg për patentë. Herën e tretë, djali im kur u plagos polici tek rruga e Shtojit më rrethuan shtëpinë dhe djali im bëri burg ndërkohë që tjetri thoshte se droga është e imja dhe ky nuk ka punë fare. Për herën e fundit u them. Djali im në momentin e ngjarjes nuk ka qenë aty"

Unë Lad Bruçin e kam mik shtëpie e mik zemre, e njihem që fëmijë me të. Kur kam lexuar që ka shpëtuar djali i Lad Bruçit kam bërë Dua! Shyqyr që shpëtoi se djalë i vetëm.

Babai kërkon drejtësi sepse siç thotë ai nuk po e lënë të qetë familjen e tij

“Kërkoj drejtësi dhe të mos më bijnë në qafë se me u vra në Afganistan vijnë më rrethojnë shtëpinë time. Ne nuk jemi shtëpi kriminelësh. Këtu fajin e ka dhe polici i lagjes që të informojë. Këtu nuk kemi pasur kurrë polic lagjeje. Djali nuk është i zoti të punojë se nuk ma lë shteti. Djali im është I pafajshëm. Asnjëherë nuk ka qenë pjesëmarrës në asnjë lloj krimi”

Ngjarja

Tornato Fusha 20 vjeç dhe Bajram Çekorja 24 vjeç, të dy banues në Shkodër, janë dy të rinjtë e shpallur në kërkim nga policia si autorë të dyshuar të sulmit me armë zjarri ndaj Alban Bruçaj.

Ngjarja u regjistrua mbrëmjen  e 25 gushtit 2022 në lagjen "Partizani" të Shkodrës, ku të rinjtë kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të makinës së Bruçaj, i cili fatmirësisht shpëtoi pa asnjë lëndim.