Drogë me postë, arrestohet dy të rinj, kishin porositur hashash nga Belgjika
Dy të rinj 22 dhe 28 vjeç, janë arrestuar të premten në Durrës. Mësohet se dy të rinjtë janë arrestuar menjëherë pasi kanë dalë nga posta, ku kanë marrë një sasi droge që e kishin porositur në Belgjikë.
Shqiptarët vijojnë që të gjejnë mënyra të reja të trafikimit të lëndëve narkotike.
Kanabis me postë nga vendet e tjera, është metoda më e re që po përdoret në Shqipëri.
Së fundmi, policia e Durrësit njoftoi të premten se ka arrestuar dy të rinj, pasi kishin porositur kanabis në formë çokollate në Belgjikë.
Pakoja me kanabis ka arritur në Postën e Durrësit, ndërsa dy të rinjtë 22 dhe 28 vjeç u arrestuan menjëherë pasi e tërhoqën atë nga posta.
Endi Hoxha dhe Elimon Hasa janë personat e arrestuar nga policia e Durrësit, e cila paraprakisht kishte informacion se në pakot e porositura gjendej lëndë narkotike.
Gjatë 3 muajve të fundit, në pranga janë vënë 6 shtetas të cilët kishin porositur hashash me postë kryesisht nga Mbretëria e Bashkuar dhe nga Belgjika.
Ky është operacioni i tretë policor i finalizuar, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet postës, nga shtete të ndryshme.
Operacioni “Green mail” u finalizua më 30 qershor 2022 dhe rezultoi me sekuestrimin e rreth 1.3 kilogramëve kanabis, të sjella nga Mbretëria e Bashkuar dhe vënien në pranga të 2 shtetasve, ndërsa “Green mail 2”, u finalizua më 18 gusht të po këtij viti dhe si rezultat i tij u sekuestruan 2 pako me kanabis, të sjella gjithashtu nga Mbretëria e Bashkuar, si dhe u vunë në pranga 2 shtetas të tjerë.
