Shehu: Rama ka kthyer timonin drejt lindjes e po sulmon Perëndimin, i bën elozhe Turqisë e Rusisë

Deputeti i PD-së Tritan Shehu, teksa ka komentuar takimin e tre liderëve të vendeve të rajonit në Beograd, tha se “Ballkan i Hapur” është një nismë serbe.

Në një intervistë për Ora News, Shehu theksoi se në këtë nismë aderon Serbia, ndërkohë Kryeministri Edi Rama është zëdhënës i presidentit serbë Aleksandër Vuçiç.

Tritan Shehu: Kjo nismë është serbe që ka në vision të saj vizionin e Jugosllavisë së re dhe Serbisë me hegjemoninë ekonomike dhe politike serbe. Në këtë nismë aderon Serbia, Rama që është zëdhënësi i Vuçiç së bashku me Maqedoninë e Veriut.

Kjo nismë dhe gabimet e tjera të Kryeministrit në detyrë aktual të Malit të Zi dhe marrëveshja që bëri me Kishën Serbe, u bën shkak  rrëzimin nga detyra e tij si Kryeministër. Sa për Bosnjën është larg kësaj nisme. Kjo nismë kërkon t’i bëjë hije procesit të Berlinit.

Ai tha shkëputjen e Serbisë nga Rusia e shikon të pamundur ndërsa shtoi Kryeministri Rama e ka kthyer timonin drejt lindjes dhe po sulmon Perëndimin Europian.

Tritan Shehu: Unë e shikoj të pamundurën shkëputjen e Serbisë nga Rusia.  Pra është një nismë që nëpërmjet Serbisë çon lidhjet e saj në Moskë. Kjo është e vërteta dhe Rama është bërë pjesë e kësaj. Rama ka kthyer timonin drejt lindjes dhe po sulmon Perëndimin e Europën. I bën elozhe jo vetëm Turqisë, por edhe Rusisë, Kinës dhe Arabisë Saudite.