Bulqizë/ Shkuan ti vënë gjobë se parkuan "Land Roverin" në pedonale, tre persona rrahin policët
Tre persona kanë rënë në prangat e policisë pasi kanë goditur këta të fundit në momentin që kanë konstatuar shkeljen rrugore nga ana e tyre.
Punonjësit e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Bulqizë, kanë konstatuar të parkuar në pedonalen e qytetit, në kundërshtim me normat e Kodit Rrugor, një automjet tip “Land Rover” dhe menjëherë kanë plotësuar procesverbalin për konstatimin e shkeljes.
“Edison Lici, Qemal Lici dhe Igli Lici (drejtuesi dhe pasagjerët në automjet), sapo kanë konstatuar punonjësit e Policisë, janë afruar dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kundërshtuar dhe goditur punonjësit duke u shkaktuar atyre dëmtime të lehta në trup”, njofton policia.
Mbi të arrestuarit Edison Lici, 36 vjeç; Qemal Lici 52 vjeç dhe Igli Lici 19 vjeç, banues në fshatin Dragu, Bulqizë, rëndojnë veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” "Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik", dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Materialet i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme.
