Meta: Rama kthen bastet për interesat e tij
Shkarkimi i Gledis Nanos për kreun e PL-së Ilir Meta është një vendim i çuditshëm, por që dëshmon se ai u bë kokë turku nga Edi Rama, pasi sipas tij lidhjet e bandave janë të drejtpërdrejta me ministra dhe vetë kryeministrin. Ndërsa nismën për rikthimin e basteve, Meta e cilësoi se është një vendim që Rama e merr për interesat e tij familjare.
Shkarkimi i Gledis Nanos nga detyra e kreut të Policisë së Shtetit për kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta nuk është aspak shpresëdhënës për një përmirësim dhe fuqizim të sigurisë së shtetit.
Në një konferencë për shtyp, Meta deklaroi se llogaridhënien për situatën e rëndë të krimit në vend duhet ta japë njeriu që bën komunikimin e drejtpërdrejt me krimin duke nënkuptuar kryeministrin Edi Rama.
Ilir Meta: Të gjithë e dimë, e dinë të gjithë policët dhe tani e dinë të gjithë qytetarët se lidhjet e bandave janë të drejtpërdrejta me kryeministrin, se lidhjet e tyre janë të drejtpërdrejta me grupe të deputetëve sipas qarqeve. Kjo është arsyeja shumë drejtues të policisë janë në shërbim të hapur të politikës së rilindjes dhe të zgjedhurve të saj vetëm për qëllime kriminale, politike, shantazhuese.
Teksa u pyet lidhur me nismën për rikthimin e basteve online lojërave të fatit. Kreu i PL-së iu përgjigj me një video ku duket Edi Rama në një intervistë ku ka thënë se bastet online nuk lejohen nga Kurani.
Ilir Meta: E dini edhe ju tregues i koherencës së një delengjiu. Vendosi mbylljen atëhere dhe tani gjen gjoja një alibi. Është thjesht për të vendosur monopolin e tij të klientelës së tij dhe të familjes së tij edhe përsa i takon lojërave të fatit dhe bixhozit.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe deputetja demokrate Jorida Tabaku e cila thotë se kjo nismë është një skemë e Edi Ramës, i cili i ka përdorur dhe vazhdon i përdor lojërat e fatit për interesat e tij personale.

