Rama “sherr” me Bullgarinë: Dikush t’i ndihmojë me përkthimin, bllokuan bisedimet e anëtarësimit
Politika e Tiranës dhe e Sofias vijon të ketë përplasje diplomatike dhe për këtë shkak janë bërë deklaratat e kryeministrit Rama që e akuzon Bullgarinë si pengmarrëse të rrugës europiane të Shqipërisë. Bullgaria e cilëson si sjellje të pahijshme të Ramës, ndërsa vetë kreu i qeverisë shqiptare ironizon me përkthimin.
Deklaratat e Kryeministrit shqiptar se Bullgaria mori “peng”rrugën europiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, nuk janë kapërcyer lehtë ende nga politika zyrtare e Sofias.
Ministria e Jashtme bullgare e ka cilësuar retorikën e Edi Ramës si anti-bullgare dhe sjellje të pahijshme të një Kryeministri që është vend kandidat për t’u anëtarësuar në BE.
Por kreu i qeverisë shqiptare vijon traditën e tij politike duke i cilësuar përplasjet diplomatike si ngërçe në përkthim.
Rama: Ndoshta dikush duhet të ndihmojë miqtë tanë të Ministrisë së Jashtme bullgare me përkthimin e qetë të përgjigjes sime në Bled se si Bullgaria bllokoi hapjen e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut kur më në fund të gjithë të tjerët ranë dakord pas 8 vitesh të gjata! Thjesht përsërita të njëjtat gjëra që thashë në qershor.
Reagimi i Ministrit të Jashtëm bullgar është vlerësuar në mënyrë ironike nga ana e Kryeministrit shqiptar, duke e cilësuar si një kompliment nga ana e tij, që diplomati nuk ka patur asgjë më të rëndësishme për të bërë se sa të reagojë për mesazhet e tij në forumin e Bledit.
Rama: Nëse Ministria e Jashtme e Bullgarisë nuk kishte asgjë më të rëndësishme sot sesa një deklaratë publike për diçka që thashë në një panel të Forumit Strategjik të Bled, nuk mund të mos e marr si një kompliment të madh për forumin dhe panelin, duke përfshirë edhe veten time! Por seriozisht, kjo është e pamerituar.
