Incidenti i Gramshit në hetim, Peleshi: E shohim të lidhur me sulmin kibernetik
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi deklaroi se po hetohet fakti se 2 rusët dhe ukrainasi në Uzinën e Gramshit të jenë tentativë për të fshehur një skenar tjetër. Peleshi tha se këtë incident e sheh të lidhur dhe me sulmin kibernetik të ndodhur pak kohë më parë ndaj sistemit online të qeverisë.
Niko Peleshi: "Nuk përbën cënim të sigurisë kombëtare. Por cënim të rregullores. Për më tepër kemi ushtrim dhune ndaj personave në detyrë. Se nuk është i klasifikuar nuk do të thotë se nuk duhet të ruhet. Ne kemi më shumë se 1 mijë prona shumë prej tyre pa aktivitet por minimalisht ka llac e tulla e përbëjnë vlera materiale dhe duhen ruajtur.
Për më tepër tek Uzina e Gramshit. Në ndryshim nga rasti I çekëve në Poliçan. Kemi çdo javë informacione për turistë që tentojnë të fotografojnë apo tu afrohen objekteve të vjetra. Por në këtë rast minimalisht kemi dhunë ndaj personelit me uniformë, agresion, maksimalisht nuk na lejohet të aludojmë. Por skenarët e mundshëm i mendojmë. Mund të jetë dhe tentativë për të fshehur skenar tjetër. Mos harroni se pak ditë më parë u përballëm me një sulm serioz kibernetik. Të gjitha ngjarjet I shohim të lidhura me njëra tjetrën. Nuk na rezulton që këta shtetas, të kenë aplikuar dhe marrë leje apo herën e kaluar. Por presim hetimet."
Peleshi tha se në kohën e agresionit rus, meritohet një vëmendje më e madhe dhe kjo çështje po hetohet nga strukturat me te larta te hetimit
"Meriton ta shohim jo vetëm drejtëpërdrejti si duket por dhe në mënyrë të tërthortë. Kemi agjencinë e inteligjencës, shërbimin informative shtetëror, policinë e shtetit, drejtorinë e antiterrorit të cilat përpunojnë çdo informacion dhe në kontekstin e ngjarjeve të fundit, prishjes se ekuilibrave pikërisht pas agresionit rus në Ukrainë.
Ne jetojmë në një rajon delikat. Rajoni i Ballkanit është kompleks. Jo të gjithë shtetet kanë të njëjtën agjendë. Shqipëria është kampioni i Ballkanit Perëndimor sa i takon qartësisë në orientimin e vet perëndimor por nuk është rasti ndaj shteteve të tjera. Pra jemi të brishtë si rajon e na bën dy herë më të vëmendshëm ndaj çdo lloj fenomeni" tha Peleshi.
