Peleshi: Ngjarja e Gramshit po trajtohet me seriozitet, 2 rusët dhe ukrainasi s'kanë qenë vetëm atje, por dhe në vende të tjera

Incidenti i ndodhur në Gramsh ku 2 shtetas ruse dhe 1 ukrainas tentuan të futeshin brenda Uzinës së Armëve, (20 gusht 2022) po hetohet me interes por Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se nuk bëhet fjalë për cënim të sigurisë kombëtare.

"Ngjarja e Gramshit po të trajtohet me seriozitet dhe me shumë vëmendje për shkak të elementit të dhunës dhe faktit që janë 3 të huaj me pasaporta ruse e ukrainase dhe që kishin disa ditë në Shqipëri. Nuk kanë qenë vetëm në Gramsh por dhe në zona të tjera. Nuk na shqetëson çfarë kanë tentuar të fotografojnë në Gramsh por mund të kenë pasur dhe synim që të devijojnë vëmendjen nga një skenar tjetër" tha Peleshi në konferencë për median krah ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi 

Ai shtoi se në bazën ushtarake në fshatin Çekin të Gramshit nuk ka materiale të klasifikuara porse rusët u ndaluan pasi thyen rregulloret e ushtrisë për ndalimin e filmimeve pranë objekteve ushtarake dhe kundërshtuan efektivat e forcave të armatosura duke hedhur ndaj tyre spraj kimik.

"Nuk kemi cënim të sigurisë kombëtare, ama u thye rregullorja. Por në këtë rast minimalisht kemi dhunë ndaj personelit me uniformë, agresion"

Megjithatë, ministri i brendshëm Bledi Çuçi tha se pasijet që u janjë sekuestruar shtetasve rusë dhe ukrainas, janë të dyshimta, çka krijon idenë se mund të përdorëshin për spiunazh.

"Mënyra si kane tentuar të hyjnë, pajiset që kishin me vete, dhe agresionin që kanë ushtruar ndaj personave që kishin detyrë të ruanin objektet janë marrë në hetim. E kemi në kontroll çdo gjë në lidhje me këtë situatë dhe përfundimi i hetimeve do të tregojë se me çfarë rasti konkret kemi të bëjmë. Objekti nuk përbën sekret shtetëror, por ne po hetojmë qëllimin e këtyre njerëzve që kanë hyrë pa leje dhe kanë ushtruar dhunë ndaj personave që ruanin objektet"- tha ai.

Nuk kemi industri ushtarake

Ministri i Mbrojtjes Peleshi bëri dhe një panoramë të tre uzinave që kanë qenë ushtarake, uzina mekanike e Gramshit, Uzina E Lëndëve Plasëse e Mjekësit dhe Kombinati Mekanik i Poliçanit.

"Ne nuk kemi industri ushtarake. Ato nuk janë aktive në kuptimin e aktivitetit të tyre thelbësor. Gramshi ka qenë uzinë e prodhimit të armëve por prej 30 vitesh nuk prodhohen më armë. Ka aktivitet sporadic të demontimit ku demontohen armë të sekuestruara gjatë operacioneve të policisë së shtetit. Armët thyhen e çohen për skrap. Aktiviteti i fundit ka qenë vitin e kaluar dhe së shpejti do të marrim një parti armësh të lehta të marrë nga policia ëq do të demontohen.  Ky nuk është aktiviteti i uzinës para viteve 1990.Në vitin 1992 ka pushuar së ekzistuara si uzinë.

E njëjta dhe me Kombinatin Mekanik i Poliçanit

Në Uzinën e Lëndëve Plasëse e Mjekësit nuk prodhohen më lëndë plasëse por asgjësohen lëndë plasëse të ndryshme. Ka një aktivitet modest. Janë sha. Vijojnë të ruhen nga forcat e armatosura por nuk ka aktivitet ushtarak të mirëfilltë. Gjithsesi kjo nuk e relativizon aspak ngjarjen e Gramshit.

Kemi të bëjmë me një grup të huajsh që as nuk kanë tentuar ta vizitojnë me leje, por kanë tentuar të hyjnë në të. Njëri prej tyre ka kapërcyer rrethimin dhe kur është ndaluar ka vepruar në mënyrë të dhunshme. Ngjarja e Gramshit do të trajtohet me seriozitet"

Tre personat e arrestuar pritet të dalin nesër para gjykatës së Elbasanit për caktimin e masës së sigurisë ndaj tyre për tri akuzat e ngritura nga prokuroria ku përfshihet edhe spiunazhi.