Akuzohet për kryerje te veprave me qëllime terroriste/ Apeli i Posaçëm dërgon në Durrës dosjen e Bledar Zenelit

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në burg pa afat 30 vjeçarin Bledar Zeneli i dyshuar për nxitje të urrejtjes dhe prapagandë me qëllime terroriste. Gjyqtari i çështjes ka vendosur gjithashtu t’ia përcjellë hetimin e dosjes gjykatës së Durrësit pasi sipas tij, SPAK nuk ka kompetencë për këtë çështje.

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masën “arrest me burg” Bledar Zenelin, i dyshuar për nxitje të urrejtjes dhe propagandë me qëllime terroriste.

Gjyqtari Engert Pëllumbi, i cili ka shqyrtuar dosjen ka vendosur gjithashtu që t’ia kalojë hetimin e kësaj çështje për kompetencë Gjykatës dhe prokurorisë së Durrësit.

Në vendim thuhet se Gjykata e Posaçme gjykon vetëm veprat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe subjektet e veçanta. Në rastin konkret shprehet gjykata kjo çështje megjithëse ekziston fakti penal nuk është kompetencë e kësaj gjykate.

Mësohet se Zeneli e ka pranuar se ka publikuar statuse në rrjetet e tij sociale, por ka theksuar se ato nuk janë për qëllime ekstremiste dhe as terroriste.

Një fakt i tillë është konfirmuar edhe nga avokati i tij I cili ka pretenduar se klienti I tij nuk ka bërë asgjë më shumë se vetëm publikimi i citateve të filozofëve apo teologëve islamë.

30-vjeçari, Bledar Zeneli me profesion murator, u arrestua më 28 korrik 2022 me urdhër ndalimit të SPAK pasi akuzohet për nxitje të thirrjes dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllime terroriste.

Zeneli është mbajtur nën vëzhgimin e antiterrorit për një periudhë dy vjeçare, pasi akuzohet se përdori gjerësisht rrjetet sociale për të mbështetur ISIS, dhe sulmet e ndodhura gjatë kësaj kohe.