U akuzua për nxjerrje të sekretit hetimor, Artan Shkëmbi kërkon rikthim në detyrë

Artan Shkëmbi, ish numri 2 i OFL, i vënë nën hetim për "Shpërdorim detyre", i kërkon Gjykatës së Lartë shuarjen e masës së "Pezullimit nga detyra" vendosur nga Gjykata e Tiranës.
Shkëmbi i është drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë duke kundërshtuar vendimet e shkallëve më të ulëta, që nuk kanë pranuar të heqin masën dhe rikthejnë në detyrë Shkëmbin.
Ndërkohë Gjykata e Tiranës nuk ka dhënë ende një vendim për ta kaluar për gjykim çështjen ndaj tij.
Hetimi për ish numrin 2 të OFL-së në policinë e shtetit filloi pas denoncimit të autoriteteve gjermane.
Në denoncimin e dërguar në Tiranë ata shprehen se hetimi ndaj dy shqiptarëve të akuzuar për trafik kokaine me iniciale K.V dhe A.P, është dekonspiruar nga policia shqiptare. Policia gjermane në datën 19 mars 2020 përmes oficerit të kontaktit ka sjellë në zyrat e policisë shqiptare kërkesën për verifikimin e pasurive të dy shqiptarëve me qëllim identifikimin e aseteve që ata kishin në Shqipëri.
