Ish-numri dy i OFL-së, Artan Shkëmbi, në gjyq për nxjerrje të sekretit hetimor
Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet dhe dërgon për gjykim Artan Shkëmbin, ish-zëvendësdrejtorin e OFL-së.
Dosja për Shkëmbin është dorëzuar në gjykatë nga organi i akuzës dhe është pranuar kërkesa për pezullim për tre muaj nga detyra.
Shkëmbi akuzohen për nxjerrje të sekretit hetimor.
Hetimi për ish numrin 2 të OFL-së në policinë e shtetit filloi pas denoncimit të autoriteteve gjermane.
Në denoncimin e dërguar në Tiranë ata shprehen se hetimi ndaj dy shqiptarëve të akuzuar për trafik kokaine me iniciale K.V dhe A.P, është dekonspiruar nga policia shqiptare. Policia gjermane në datën 19 mars 2020 përmes oficerit të kontaktit ka sjellë në zyrat e policisë shqiptare kërkesën për verifikimin e pasurive të dy shqiptarëve me qëllim identifikimin e aseteve që ata kishin në Shqipëri.
Autoritetet gjermane nënvizonin se hetimi ishte tepër sekret dhe kërkonin që nëse rrezikohej dekonspirimi, pala shqiptare të mos kryente asnjë veprim. Por ndërkohë që pala gjermane kërkonte konfidencialittet, pikërisht dokumenti i dërguar prej tyre për verifikimin e pasurive ka mbërritur në telefonin e të hetuarit K.V. në datë 10.04.2020 rreth orës 16:00.
Përveç kërkesës në fjalë, shtetasit K.V. i janë përcjellë edhe fotot e tij dhe të personit tjetër nën hetim A.P., së bashku me të dhënat e nxjerra nga sistemi Deep See, i policisë së shtetit.
Nga hetimi i filluar nga SPAK pas denoncimit të autoriteteve gjermane është evidentuar fakti se i vetmi person që ka loguar në sistemin Deep See në datë 10.04.2020 është ish-nëndrejtori i OFL Artan Shkëmbi.

