Shkon në 23 numri i të ndaluarve nga operacioni "Restart", arrestohet 24 vjeçari sekuestrohen 30 kg kanabis
Ka arritur në 23 numri i të ndaluarve, në 565.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis dhe 550 gramë kanabis në formë çokollate, sekuestruar në kuadër të këtij operacioni.
Në vijim të operacionit policor të koduar "Restart", startuar tetë muaj më parë është vënë në pranga Ergis Zenelak si dhe një tjetër është proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Mbi 24 vjeçarin Ergis Zenelak rëndon vepra penale "Trafikimi i narkotikëve" mbetur në tentativë.
Ëhstë proceduar në gjendje të lirë, A. Z., 32 vjeç, banues në fshatin Ponçarë, Devoll, për veprën penale "Trafikimi i mjeteve motorike".
“Ergis Zenelak në bashkëpunim me persona të tjerë, ushtronte aktivitetin e kundërligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të Greqisë, nëpërmjet kufirit të gjelbër. Nga kontrolli i ushtruar në afërsi të banesës së tij në fshatin Ponçarë, gjetën dhe sekuestruan 2 çanta sportive, me 30 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis. Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e shokut të tij, shtetasit A. Z., u gjet e sekuestrua një motor i markës "Peda Tek", pa targa dhe dokumentacionin përkatës, i cili rezultoi i vjedhur në Maqedoninë e Veriut", njofton policia.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.



