'Trafik i paligjshëm organesh', PS rezolutë kundër raportit Dick Marty-t në Kuvend, Shehaj e Tabaku interpelancë me Kumbaron
Këtë të enjte mbahet seanca e fundit plenare e këtij sesioni parlamentar, por Kuvendi do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme të dielën ku pritet të betohet Presidenti i ri Bajram Begaj. Kuvendi pritet të përfshihet në debate sa i përket projektrezolutës kundër raportit të Dick Martit. Ndërkaq me interes pritet dhe interpelanca e thirrur nga demokratët me ministren e Turizmit Mirela Kumbaro.
Kuvendi mban këtë të enjte seancën e fundit plenare të këtij sesioni, ku një ndër pikat kryesore do të jetë projektrezoluta “Mbi bazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve në Kosovë e Shqipëri”.
Ndërkohë në Kuvend është dorëzuar edhe kërkesa e opozitës që rezolutës t’i bashkangjitet edhe dënimi i gjenocidit serb në Kosovë. Raporti i vitit 2011 i Dick Marty, asokohe anëtar dhe raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentarë të Këshillit të Evropës ngre pretendime për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore që dyshohen të jenë kryer nga pjesëtarë dhe drejtues të UÇK, për të cilat hetuesit ndërkombëtar nuk kanë gjetur prova. PS thekson se 11 vite pas hartimit të raportit të Dick Marty-t, asnjë nga pretendimet e ngritura prej tij në raport, nuk është vërtetuar.
Sipas Partisë Socaliste pas 10 vitesh hetime është konstatuar, se raporti i Dick Marty ‘për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë', mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare.
Në rendin e ditës gjithashtu është parashikuar interpelancë me ministren e Turizmit dhe Mjedisti, Mirela Kumbaro kërkuar nga dy deputetët demokratë, Jorida Tabaku dhe Agron Shehaj. Ndërkaq Kuvendi do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme pasditen e së dielës ku pritet të betohet Presidenti i ri Bajram Begaj. Ish-gjenerali u zgjodh president i Shqipërisë me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim.

