Ambasadorët amerikanë në Shqipëri, Rama thumbon Berishën: SHBA nuk ka lidhje me atë që kanë në kokë bajraktarët e Shqipërisë
Kryeministri, Edi Rama, shfrytëzoi ceremoninë e promovimit të një libri për të thumbuar kundërshtarin e tij politik Sali Berisha, duke i bërë të qartë se ambasadorët amerikanë në Shqipëri nuk bëjnë politikë personale.
Rama: Të mendosh që ambasadorët amerikanë në Shqipëri bëjnë politikë personale është njësoj si të mendosh që SHBA-të janë si Shqipëria dhe që një superfuqi funksionon njësoj siç funksionojnë partitë, kryetarët e të cilëve apo udhëheqësit e të cilëve promovojnë një ide të tillë, një ide absurde që buron sigurisht nga një provincializëm shumë i thellë nga një bajraktarizëm shumë i rrënjosur dhe patjetër edhe nga një ide se shqiptarët mund të tërhiqen prej hunde dhe se mund të ngrihen në falanga për të mbrojtur sovranitetin dhe dinjitetin duke luftuar me ambasadorët amerikanë.
Kjo funksionon për një farë kohe mbase, kjo funksionon mbase për disa njerëz që janë të painformuar dhe që nuk duan të informohen, por kjo nuk funksion në raport me marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe në raport me vetë popullin shqiptar si i tërë. Ambasadorët amerikanë sigurisht janë njerëz, sigurisht kanë natyrat e tyre, por, e para përfaqësojnë SHBA-të dhe sistemi i vendimmarrjes dhe sistemi i komunikimit të shteteve serioze, të shteteve të mirëorganizuara në tërësi padiskutim të një shteti si SHBA-të, nuk ngjan në asnjë lloj forme me çfarë mund të kenë në kokë bajraktarët e Shqipërisë. Është komplet një sistem jo personal dhe një sistem tërësisht institucional.
Ai vlerësoi rolin e diplomatëve amerikanë dhe të vetë SHBA-së në progresin e vendit tonë, duke nënvizuar se pa ta çorapi në këtë shtëpi do ishte bërë shumë më i pahekurosshëm.
Rama: Çdo ambasador amerikan e di shumë mirë se e para përfaqëson shtetin nuk diskutohet dhe e dyta se kujt duhet t’i referohet në Shqipëri dhe referenca është tek opinioni publik shqiptar. Kjo është pjesa e panatyrshme e marrëdhënieve në raport me gjithë përfaqësitë e tjera në Shqipëri. Sepse amerikanët këtu ndjehen në shtëpinë e tyre dhe për këtë periudhë historike është shumë mirë që ndjehen në shtëpinë e tyre. Nëse amerikanët këtu nuk do të ndjeheshin në shtëpinë e tyre dhe nëse amerikanët këtu nuk do bënin ato që kanë bërë, çorapi në këtë shtëpi do ishte bërë shumë më i pahekurosshëm. Po hekuroset avash avash me ndihmën e SHBA-ve, me mbështetjen e SHBA-ve dhe të ambasadorëve amerikanë.
E megjithatë ai la të kuptohet se protagonizmi i diplomatëve amerikanë në skenën politike e bezdis dhe vetë atë.
Rama: Disa s’duan, disa mund të mos duan. Unë për shembull nuk është se e dua, por nuk kam sesi të mos e pranoj që në këtë fazë të historisë ambasadorët amerikanë në Shqipëri janë pjesë e suksesit të Shqipërisë. Janë pjesë e një përpjekjeje shumë titanike të një shoqërie që ka shumë gurë për të hequr nga këpucët akoma dhe ka shumë rrugë për të bërë akoma.
Deklaratat Rama i bëri në promovimin e librit “Ambasadorët amerikanë në Shqipëri” të Roland Qafokut, vepër e cila vjen në një moment të rëndësishëm siç është 100-vjetori i marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara.
Rama: Historia e Shqipërisë është e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me këtë marrëdhënie të posaçme. Ka qenë e lidhur qysh në krye të herës kur kjo marrëdhënie lindi si rezultat i një lloj dalje zot të SHBA-ve për Shqipërinë dhe mbetet e tillë edhe sot e gjithë ditën kur SHBA-të janë shumë të pranishme në jetën tonë të përditshme, pikërisht përmes ambasadorëve dhe ambasadoreve të tyre, që ne e dimë të gjithë kanë një prani dhe një rol që në çdo vend tjetër do të ishte i pakuptueshëm, por që në Shqipëri mbetet i pazëvendësueshëm për hir të së vërtetës.Megjithëse nuk më vjen fare mirë ta them këtë gjë, por kjo është e vërteta. Është një rol i pazëvendësueshëm.
Dhe kjo nuk ka të bëjë aq me ambasadorët apo me SHBA-të, po ka të bëjë me ne, me historinë tonë, me stadet tona të zhvillimit. Me nevojën tonë për këtë marrëdhënien sot e gjithë ditën, si një marrëdhënie që është shumë më e thellë nga sa mund të duket. Është shumë më strategjike nga sa mund të lexohet në pamje të parë, duke shkuar deri tek garancia absolute e vetë pacenueshmërisë së vendit tonë, i cili pavarësisht se si në çdo vend të vogël ka një numër të konsiderueshëm fodullësh provincialë e kujtojnë kërthizën e botës apo që mendojnë se mund të udhëhiqet apo mund të qeveriset me një fuqi sovraniteti që buron nga lumenjtë e kulluar, në fakt mbetet një vend i vogël. Dhe nëse sot është një vend i pacenueshëm në asnjë drejtim dhe aspekt kjo nuk është rezultat i ndonjë dekreti hyjnor pacenueshmërie, por është rezultat pikërisht ndër të tjera edhe i kësaj marrëdhënieje jashtëzakonisht strategjike.
