VIDEO/ Momenti i vrasjes së ish-policit Xhelal Reçi, dy persona të maskuar zbresin nga makina dhe e qëllojnë me armë
Ora News ka siguruar pamjet nga momenti i vrasjes së ish-policit Xhelal Reçi në nëntor të vitit 2021.
Kanë qenë kamerat e sigurisë që kanë filmuar gjithçka nga kjo ngjarje e rëndë.
Në pamjet e siguruara shihet se ishte ora 7 e 11 e mëngjesit kur Xhelal Reçi, po shkonte për të hapur qepenin e biznesit, por ky ka qenë momenti i fundit i tij, pasi e qëlluan me armë zjarri duke e lënë të vdekur në vend.
Siç shihet në pamje një automjet tip Toyota afrohet pranë tij, ndërsa nga kjo makinë zbresin dy vrasësit e maskuar që qëllojnë mbi 61-vjeçarin.
61-vjeçari, Xhelal Reçi, u ekzekutua me dy plumba pistolete mëngjesin e së hënës (1 nëntor 2021) sapo zbriti nga një makinë për të hapur një biznes në pronësi në qendër të Laçit.
Ekzekutorët e ish-policit, Xhelal Reçi, në Laç dyshohet se ishin vrasës me pagesë dhe besohet se janë nga Fieri.
Përfshirja në grupe dhe ngjarje kriminale, dyshohet se ishte shkak edhe i atentatit që Besnik Reçit i bënë në gusht të vitit të kaluar në Shëngjin, ku ai u sulmua me armë zjarri në kohën kur në makinë ishte me gruan e fëmijët.
Hetuesit mendojnë se ekzekutorët e ish-policit mund të jenë nga Fieri, zonë në të cilën ishte vjedhur edhe makina që ata përdorën për vrasjen.

Në vendin ku dogjën makinën në afërsi të lumit Mat në Milot, autorët besohet se priteshin nga një tjetër mjet dhe nga aty kanë udhëtuar në drejtim të Shkodrës.
Viktima prej vitesh drejtonte disa biznese në qytetin e Laçit por gjithashtu 15 vite më përpara punonte në radhët e policisë.
Reçi njihej si person i qetë në qytetin e Laçit dhe nuk ka pasur të shkuar kriminale më parë.


