Sulmi kibernetik nga Irani? Bashkurti: Shqipëria në konflikt politik me të por akuza duhet provuar me fakte

Kryeministri, Edi Rama, deklaroi sot se qeveria shqiptare ka tashmë dy shtete të dyshuara se fshihen pas sulmit kibernetik ndaj e-Albania.

I pari në listë, nisur edhe nga ato çfarë kanë qarkulluar orëve të fundit në media, duket se është Irani.

Diplomati i njohur, Lisen Bashkurti, në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma thotë se Shqipëria është në një konflikt të hapur politik me Iranin pasi ka strehuar në Manzë një pjesë të konsiderueshme të opozitës së atij shteti.

Bashkurti: Në këtë televizion 3-4 vite më parë kur pat një reagim shumë agresiv të Iranit ndaj Shqipërisë unë e kam paralajmëruar një proces të tillë. Shqipëria është në një konflikt serioz politik me Iranin për faktin se ne kemi strehuar një pjesë shumë të rëndësishme të opozitës iraniane në Shqipëri dhe Irani ka reaguar shumë ashpër në këtë aspekt, madje edhe ka paralajmëruar. Nuk jam në gjendje të them nëse ky sulm ka ardhur nga Irani apo ndonjë shtet tjetër lindor, i cili është agresiv ndaj Shqipërisë. Por Shqipëria duhet të marrë masa serioze.

Kur vendos për të kaluar nga sistemi manual i shërbimeve në atë online duhet të merren të gjitha masat sepse sulmet teknologjike, kibernetike... krimi kibernetik është bërë një nga kërcënimet e botës së sotme dhe është një nga kërcënimet e reja të sigurisë ndërkombëtare. Vendi duhet të marrë masa të mbrojë sistemin por edhe për ta alternativizuar sistemin me qëllim që kurrësesi të mos ndërpriten shërbimet ndaj qytetarëve.

Sulmi kibernetik nga Irani? Bashkurti: Shqipëria në konflikt

Por para se të drejtojmë gishtin, shteti shqiptar do të duhet të provojë akuza. E nëse kjo ndodh, Bashkurti thotë se ka ligje ndërkombëtare që mbrojnë Shqipërinë.

Bashkurti: Nëse provohen me fakte ka një sërë ligjesh ndërkombëtare që e mbrojnë vendin por është tmerrësisht e vështirë, sulmet hakëruese janë shumë të sofistikuara dhe është tepër e vështirë të provohen mbi bazën e ligjit ndërkombëtar. Nëse provohet që ndërhyrja është bërë nga linjat shtetërore iraniane, Shqipëria mund të veprojë deri në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike. Veprimi lipset të jetë shumë i arsyetuar nga pikëpamja ndërkombëtare.

Sa i takon procesit të integrimit, Bashkurti tha se anëtarësimi me të drejta të plota në BE do varet nga puna që do të bëjë Shqipëria.

Bashkurti: Kemi procese të vështira, kapitujt në grup janë kompleks. Së dyti procesi është i kthyeshëm, nëse Komsioni Europian konstaton se vendi nuk është serioz ose devijon nga agjenda e integrimit dhe karakteristikat që ka ky proces padyshim që do të jetë me pasoja deri në kthimin dhe suspendimin e negociatave. Nuk do të dëshiroja dhe shpresoj që mos të shkojmë në këtë pikë.

Por nëse do vazhdojmë që në evente si kjo, hapja e negociatave dhe konferenca e parë ndërqeveritare, njëra palë të festojë dhe tjetra ta anatemojë procesin do të thotë që nuk kemi ende filozofinë europiane, frymën dhe sjelljen europiane. Është një proces i gjatë që shkon 8-10 vjet në rastin më të mirë. Në 10 vjet do të ketë shumë ndryshime, rotacione. Kjo nuk duhet ta ndryshojë trendin e procesit, duhet të përfshihet të gjithë aktorët dhe faktorët e shoqërisë shqiptare.