Negociatat/ Gjipali: Duhet patjetër të plotësojmë kushtet, të bindim partnerët se e meritojmë anëtarësimin në BE

Eksperti i çështjeve të Integrimit, Gledis Gjipali, ka komentuar hapjen e negociatave për vendin tonë.

Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Everest Dedaj, ai tha se që nga dita e djeshme, ne kemi shumë punë për të bërë.

Gledis Gjipali: Ne hyjmë në fazën aktuale të zbatimit të këtij procesi, pra të negociatave, pasi dritën jeshile e kishim marrë disa vite më parë, po praktikisht nuk kishim filluar negociatat. Që nga dita e djeshme, ne tashmë jemi në proces të negociatave, që do të thotë një punë shumë e madhe, voluminoze që në fund të kësaj pune do të duhet të na çojë në anëtarësimin në BE.

Ai tha se tashmë Shqipëria do të duhet të përafrojë legjislacionin, standardet, të ngremë institucionet, dhe kapacitetet njerëzore, ndërsa shtoi se për futjen e Shqipërisë në BE do të duhen disa vite.

Gledis Gjipali: Që do të thotë gjatë kësaj periudhe ne do duhet të përafrojmë legjislacionin, standartet, të ngremë institucionet, kapacitete njerëzore. Është një proces që do të dojë disa vite dhe më pas të mund të kryhet anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Do të kemi shumë kushte, shumë më të detajuara, shumë më të monitoruara nga BE. I gjithë  procesi merr një tjetër cilësi, një tjetër ritëm që patjetër do të duhet ta ndjekim administrata në radhë të parë por qoftë dhe grupet e interesit dhe politika.

Më tej ai shtoi se nëse ne do të plotësojmë kushtet, do të kemi përfitime nga Europa, ndërsa theksoi se do të ndodh e kundërta nëse nuk plotësojmë kushtet.

Gledis Gjipali: Kërkesat dhe standardet që ne duhet të plotësojmë janë vërtetë cilësore. Sjellim një rritje cilësore të jetesës, funksionimit të intstitucioneve në Shqipëri, këto janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e vendit. Drejtimi tjetër është se çfarë fitojmë nga BE. Do të ketë më shumë fonde, si dhe do kemi mundësinë të marrim pjesë në programe që më parë nuk kishim sukses. Në rast se bëjmë hapa mbrapa, mund të hiqet kjo mundësi.

Ne do duhet patjetër të plotësojmë kushtet, të bindim partnerët tanë se ne e meritojmë anëtarësimin në BE.