Dy vite nga beteja e humbur, Musai: Teatri Kombëtar, viktima e parë e drejtësisë së re. SPAK nuk ka lëvizur
Kur kanë kaluar dy vite nga shembja e Teatrit Kombëtar, Dorina Musai, arkitekte dhe aktiviste e angazhuar asokohe në mbrojtjen e teatrit shprehet e zhgënjyer nga drejtësia e re.
Musai: Asgjë nuk po ndodh dhe nuk ka ndodhur. Nuk kemi një rrugëzgjidhje, nuk kemi drejtësinë e vënë në punë dhe nga ana tjetër kemi një kryeqytet pa teatër. Ishim përballë një pushteti autokratik dhe jemi ende.
Në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj, ajo thotë se edhe pse shoqëria civile por edhe opozita kanë ezauruar të gjitha hallkat, duke bërë me dhjetëra kallëzime dhe duke depozituar prova konkrete për përgjegjësit, SPAK nuk ka lëvizur në hetime dhe sot e kësaj ditë nuk kemi asnjeri në bankën e të akuzuarve.

Musai: Nga ana e drejtësisë nuk ka patur veprim të mirëfilltë deri tani. Dimë që janë hapur hetimet, ka edhe njerëz që janë marrë në pyetje por nuk kemi njeri para bankës së të akuzuarve. Kemi bërë të gjitha akuzat, kemi çuar të gjitha provat. Kanë kaluar dy vjet dhe SPAK nuk ka lëvizur nga vendi. Ne e kemi quajtur teatrin si vitimën e parë të drejtësisë së re dhe e tillë mbetet.
Kemi përfshirjen e dy pushteteve, parlamentin, ekzekutivin dhe bashkinë Tiranë. Numri i njerëzve të përfshirë në këtë çështje mund të kalojë 300 persona. Emra të tjerë mund të kenë dalë gjatë hetimit. Kjo është nga çështjet që ka përfshirë më shumë institucione bashkë.
Fjala është e drejtësisë. Drejtësia është e vonuar. Sa më shumë kohë kalon duke mos vepruar tregon se nuk është e drejtë. Çdo ditë zhgënjehemi më pas me atë që propagandohet nga ana e politikës që kemi sjellë një drejtësi të re por në fakt nuk është aq e re sa duket.
Dy vite nga shembja e Teatrit Kombëtar, gjithçka ka mbetur në ajër. Nga njëra anë nuk ka asnjë të dhënë se çfarë po ndodh me ndërtimin, e nga ana tjetër në SPAK dosja hetimore është nën pluhurin e kohës dhe në sirtarët e prokurorisë
Ka qenë Aleanca për Teatrin që e dorëzoi dosjen me të paktën 13 kallëzime në Prokurorinë e Posaçme me shkeljet që nga shembja dhe inspektimi.
Qeveria ka dhënë dakordësinë për fondin që do ti kalojë bashkisë, por nën justifikimin e rindërtimit dhe Covidit sërish gjithçka ka mbetur vetëm në fjalë.
