Nesër vijojnë negociatat për presidentin, Balla: Kërkojmë fleksibilitet nga opozita, të vijnë me propozime konkrete

Ditën e nesërme (18 Maj) në orën 10:00 do të vijojnë nisin për zgjedhjen e presidentit të ri.

Lajmin e ka bërë me dije Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, pas takimit që ka zhvilluar me Enkelejd Alibeajn dhe Oriola Pampurin.

Balla tha se shpreson që nga ana e grupit parlamentar të PD-së të ketë fleksibilitet dhe gatishmëri për konsensus, pasi në këtë mënyrë procesi do të ketë sukses.  

Taulant Balla: Jemi dakordësuar për të vazhduar bisedën në konferencës së kryetarëve. Shpresoj që nga ana e PD të ketë fleksibilitet dhe gatishmëri për konsensus. Pra të ketë një dokument të paraqitur nga ana e tyre, dhe të diskutohet, por nga ana tjetër të drejtën e propozimit nga të gjitha palët. Është diçka e mire që ne e kemi mundësi që të bisedojmë.  Kam propozuar që të takohemi në orën 18:00 dhe kemi qenë të dy të përpiktë. Së bashku me mua ishte dhe Spiropali, Alibeaj e Pampuri. Alibeaj ka kërkuar që negocimi të zhvillohet në praninë e medias. Besoj se nëse ka pak gatishmëri për t'u përfshirë seriozisht në proces, besoj se mund të kemi ecuri në proces. Opozita të vijë me propozime konkrete.

Balla tha se ditën e nesërme opozita duhet të vijë me propozime konkrete për presidentin. 

Taulant Balla: Propozimi im për opozitën është që të vijë me propozime. Pyetja që shtrohet është i ka opozita 20 firma për një kandidat për ta propozuar? Nëse i ka le ta kryejë dhe kjo është shprehja e parë e gatishmërisë në proces.

Balla tha se Shqipëria nuk ka nevojë për një president partiak por për një president të të gjithë shqiptarëve.

Më tej ai sqaroi edhe deklaratën e Kryeministrit, i cili ka thënë se mazhoranca do të zgjedhë vetë Presidentin nuk zgjidhet problemi në tre raundet e para.

Taulant Balla: Rama nuk ka vendosur asnjë vijë të kuqe. Me të drejtë ka cituar nenin përkatës në Kushtetutë. Ka kujtuar që asnjë prej palëve nuk bën dot peng marrje të procesit. Ky proces negociatash kryhet gjatë tre raundeve të para, në raundin e katërt Kushtetuta ka vendosur mekanizëm zhbllokues që I jep të drejtë shumicës absolute dhe jo shumicës së cilësuar. Rama ka thënë që në ditën e parë që Shqipëria a nuk ka nevojë për një president partiak, por për një president të gjithë shqiptarëve.

Sot kam zhvilluar takim edhe ambasadoren franceze, me të cilët diskutuam pritshmëritë tona, për mbajtjen e Konferencës së parë qeveritare mes Shqipërisë dhe BE, Ku Franca është shumë e angazhuar që të kemi mbajtjen e kësaj konference brenda qershorit. Ky është serioziteti që karakterizon PS.

I pyetur se nëse do të jenë në takim dhe Fatmir Mediu me Mesila Dodën, Balla u shpreh:

Taulant Balla: Ky takim do të jetë një takim  publik dhe unë dua që ky të jetë një proces që edhe PD të thotë pozicionin e vet. Ne kemi pasur gjithë mundësinë që Mediu dhe Doda, kanë qenë në takime. Ky është takim që është edhe me PD. Shpresoj që të kemi dhe mbledhje të tjera që të jenë të përfshira të 4 grupet parlamentare. Këtë mos ma kërkoni mua, por Alibejt. Nëse ai është dakord që të vijnë dhe grupet të tjera, nga unë 100%.

Sot konferenca e kryetarëve vendosi që raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit do të mbahet më 23 maj.