Presidenti/ Pëllumbi: PS e përgatitur për emrat që do i propozojë opozitës. Palët mos të vendosin kushte
Deputeti i PS, Arben Pëllumbi, tha se mazhoranca po tregon seriozitetin e nevojshëm për të pasur një bashkëpunim me opozitën në mënyrë që të gjejnë një emër për president.
Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Everest Dedaj, Pëllumbi tha se në procesin për zgjedhjen e kreut të shtetit palët nuk duhet ti vendosin kushte njëra tjetrës.
Ai tha se nëse nuk do të ketë një bashkëpunim nga opozita për zgjedhjen e presidenti mazhoranca është detyruar ta zgjedhë vetë, ndërsa ka shtuar se nuk është ky qëllimi.
Arben Pëllumbi: Procedura se si zgjidhet presidenti është e përcaktuar në Kushtetutë. PS e ka thënë se është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën për zgjedhjen e një presidenti që të jetë konsensual. Ne po tregojmë seriozitetin e nevojshëm për të pasur bashkëpunimin e opozitës për të mbërritur në një emër. Ky proces duhet të jetë pa kushte nga asnjëra palë. Palët të ulen dhe të bisedojnë për një emër. Ne do të bëjmë të gjithë përpjekjet që të mund të gjejmë edhe mbështetjen e PD-së për të gjetur një emër të gjithë pranuar nga të gjithë. Nëse kjo nuk është e mundur PS do të jetë e detyruar ta zgjedhë me vota. Por nuk është qëllimi. Qëllimi është që të jetë një president i gjithë pranuar dhe mbi palët.
Pëllumbi tha se opozita duhet të kishte gjetur një emër në mënyrë që të uleshin dhe ta diskutoni, ndërkohë nga ana tjetër tha se PS është e përgatitur që t’i propozojë emrat për president palës tjetër.
Arben Pëllumbi: Opozita duhet të kishte gjetur një emër për president deri tani dhe që mund të uleshim për ta diskutuar këtë emër. Në konferencën e kryetarëve pati konflikte, ndërkohë që detyra e këtij konference është të përcaktojë datën dhe orën dhe asnjë tagër tjetër. Bisedimet duhet të fillojnë mbi emra konkret, ama nuk duhet të ketë kushte nga asnjëra palë. PS është e përgatitur për emrat që do i propozojë PD. Këtë gjë duhet të bëjë edhe pala tjetër. Ne tashmë e kemi një komision prej tre vetash të ngarkuar, kemi disa emra që kanë dalë. Hapi i radhës është që pakët të ulen dhe të bisedojnë. Ne kemi pranuar edhe një platformë nga Alibeaj. Me shpresë nesër palët do ulen të bisedojnë për presidentin dhe shpresojmë që të ketë një emër nga opozita. PS është e gatshme të bashkëbisedojë me opozitën me emra konkret.
Përgatiti Anila Kolgjini.
