Humbi jetën në by-passin Orikum-Kaninë, Klajdi Kaja ishte kryetar i FRPD-së në Bubullimë

Klajdi Kaja, 28-vjeçari nga Lushnja i cili humbi jetën një ditë më parë në një aksident gjatë punës për ndërtimin e by-passit Orikum-Kaninë në Vlorë ishte kryetari i FRPD i Njësisë Vendore Bubullimë.

Belind Këlliçi në një postim në facebook thotë se është i tronditur nga ikja e parakohshme e tij.

"I tronditur nga ikja e parakohshme e Klajdit. Ngushëllime familjes, të afërmve dhe miqve të tij! Klajdi Kaja ishte kryetari i FRPD i Njësisë Vendore Bubullimë, Lushnjë; një djalë flori e punëtor. Ai humbi jetën duke punuar në by pass-in Orikum-Kaninë.Të qoftë dheu i lehtë, Klajd!"

By-passi Orikum-Kaninë u përgjak të hënën nga një aksident ende pa mbaruar.

Dy punëtorë humbën jetën pasi kamioni ku udhëtonin përfundoi në një kanal anash rrugës.

Viktimat janë dy të rinj, të cilët punonin në ndërtimin e rrugës.

Armand Beu, 32 vjeç, banues në Kavajë drejtonte mjetin e tonazhit të rëndë që mban të shënuar emrin BIBA–X, firmës nënkontraktore që kryen punime në by-pass.

28-vjeçari, Klajdi Kaja, banues në Lushnje udhëtonte si pasagjer.

Kamioni ishte ngarkuar me zhavor dhe ishte në zbritje nga zona e Kaninës për në Orikum.

Në këtë pikë të rrugës, shoferi dyshohet se humbi kontrollin dhe mjeti përfundoi në një kanal anësor.

Ende mbetet e paqartë nësë mjeti ka pësuar defekt apo nuk i kanë funksionuar frenat, ndaj drejtuesi nga frika se mos përfundonte në humnerë e ka drejtuar mjetin në pjesën e sipërme të rrugës.

Përplasja ka qenë shumë e fortë sa trupat e shoferit dhe pasagjerit dolën nga xhami i kamionit dhe inertet që transportonin i mbuluan sipër.