Berisha nga Durrësi: Establishmenti po dridhet, mision i ynë të bindim secilin ti themi ndal kësaj rrokullisje
Ish kryeministri Sali Berisha po vijon fushatën për kreun e ri të Partisë Demokratike. Nga takimi me qytetarët në Durrës Berisha tha se nuk mund ta pranojnë më gjendjen e 25 prillit.
Sipas tij në një kohë të shkurtër establishmenti po dridhet.
Sali Berisha: "Në zgjedhjet e 25 prillit të gjithë ne moralisht po lëngonim në atmosferën e asaj disfate. Nuk mund të pranojmë më këtë gjendje. Mjaft është mjaftë. Duhet të rikthehemi. Dhe kjo ndodhi. Dhe sot ja ku jemi. Të vërtetë, shumë të fuqishëm, të qartë. Në një kohë të shkurtër establishmenti po dridhet."
Ai tha se Prokuroria Speciale është bërë për Partinë Socialiste, më i dashur se Komiteti Qëndror ose më i frikshëm se Komiteti qëndror.
Sali Berisha: "E keni konstatuar ju vetë, disa herë më shumë se në diktaturë, çdo ditë, Prokuroria Speciale është bërë për Partinë Socialiste, kreun e saj, udhëheqësin e saj, është bërë më i dashur se Komiteti Qëndror ose më i frikshëm se Komiteti qëndror."
Berisha gjithashtu iu drëjtua qytetarëve duke ju thënë se misioni i demokratëve tashmë është të bindin këdo që ti thotë ndal rrokullisjes së vendit.
Sali Berisha:"Pra ne ja arritëm por, në këtë stacion ku jemi, një mision i madh tjetër na pret i një rëndësie absolutisht jetike, historike për këtë vend për interesat e këtyre qytetarëve, për qenien tonë dhe identitetin tonë kombëtar, për të ardhmen tonë, për të ardhmen e këtyre të rinjve dhe të fëmijëve tanë. Ky mision i yni qëndron thjesht në atë që të bindim secilin që kemi në krahë, që kemi në lagje që njohim që dimë që dhe ai të thotë, ndal tani, ti themi ndal kësaj rrokullisje."