Tirana më problematikja, prokurorët "flenë" mbi dosjet e pastrimit të parave

Kryeprokurori, Olsian Çela, gjatë debateve me deputetët në Komisionin e Sigurisë u shpreh i shqetësuar sa i përket veprës penale të pastrimit të parave.

Sipas Çelës, prokuroria e Tiranës dhe prokuroritë e tjera nuk kanë bërë asnjë iniciativë për hetimin e rasteve.

Çela: Pastrimi i parave, çfarë ndodh sot në Shqipëri? Nga vijnë këto para, nga ndërtohen këto që ndërtohen? Ka qenë shqetësim që ja kam shprehur përmes akteve, zhvillimit të kësaj strukture që ka qenë në qendër të veprimtarisë time por dhe me gjithë drejtuesit e institucioneve të përfshira ku kemi kërkuar proaktivitet. Sa referime ka sot nga Drejtoria e Tatimeve për seksinet e prokurorisë që merren me pastrimin e parave? Zero. Pse? Këtë mund të bëjë prokurori i Përgjithshëm, të bëjë strukturën, të vërë njerëzit, ti specializojë njerëzit, ti trajnojë njerëzit dhe e ka bërë. Prokurori i Përgjithshëm nuk heton por pret që pas krijimit të strukturës këta njerëz të japin impakt. Cila është prokuroria më e dobët sot për pastrimin e parave? Me rezultate më të dobëta është prokuroria më e madhe e vendit, e pafalshme. Ka 7 prokurorë që nuk bëjnë asgjë. Ky është shqetësim.

Ndaj rolit që kanë prokurorët në këtë çështje sensitive, Çela tha se në të dhënat e Prokurorisë së Përgjithshme mungojnë informatat për personat që vihen në përgjim apo për vijueshmërinë e hetimeve.

Çela: Ndarja e sistemit të përgjimeve më vete vitin e kaluar te SPAK prodhon rezultate në një prokurori tjetër që nuk pasqyrohen më te Prokuroria e Përgithme. Ne e mendojmë atë si një instrument të rëndësishëm. Por çfarë mungon në të dhënat tona? Mungon thelbi për të kuptuar se cilët janë personat në përgjim, si shkojnë këto hetime, për çfarë hetohen njerëit, sa zgjatin këto përgjime, a janë thelbësisht të vlefshme zgjatjet e përgjimeve që bëhen.

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, bëri publike shifrat dhe rezultatet e arritura. Në raport theksohet se statistikat e veprave penale gjatë 2021, rezulton se 78.77% e procedimeve penale i përkasin krimeve dhe 21.23% i përkasin kundravajtjeve penale.