Rama ka një model politike fasadë, thotë Biberaj: Politikan fallco, nuk bën asnjë lloj pune
Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Aleksandër Biberaj gjatë një interviste për Ora News me gazetrin Arnold Kariqi foli rreth deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili ka thënë se, në rast dështimi të negociatave me BE, Shqipëria do të ndryshojë kurs.
Biberaj e konsideroi deklaratën e Ramës si presion në miniaturë, të modeleve të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë.
Aleksandër Biberaj: "Këto janë presione në miniaturë të modeleve të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë. Thoshte në fund të viteve 1990 Ramiz Alia, "nuk jemi as lindje as perëndim". Këto janë presione ordinere do ti quaja. Tregojnë mjerimin diplomatik dhe politik të kryeministrit dhe shterimin e tij patjetër. Kështu që orjentimi pro Atlantik i Shqipërisë është i padiskutueshëm. Është një popull i tërë që po e kërkon dhe jo vetëm shqiptarët e Shqipërisë por dhe Shqiptarët në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Serbi pra kudo që janë."
"Ne kemi një vokacion pro perëndimor historikisht", tha ai.
Sipas Biberaj, Rama bën deklarata të tilla pasi është një politikan komplet fallco që merret vetëm me show.
Aleksandër Biberaj: "Ai ka një model politike fasadë, kjo dihet. Që kur ka filluar politikën aktive në '98 si Ministër Kulture, si Kryetar Bashkie, si Kryeministër, ai është politikan i fasadave. Është një politikan komplet fallco që merret vetëm me show. Merret vetëm me show sepse nuk bën asnjë lloj pune. Jo vetëm ai, dhe qeveria e tij."
