"Duhet ta propozojë opozita", Alibeaj nuk e lëshon Presidentin. I përgjigjet dhe Ballës për 20 firmat: Le ta shohim
Negociatat për Presidentin do të vijojnë edhe ditën e nesërme, e mërkurë 18 maj. Në konferencën e kryetarëve, Partia Demokratike e përfaqësuar nga Enkelej Alibeaj do të bëjë me dije qëndrimin e grupit të tij parlamentar.
Për gazetarët ai njoftoi se mbledhja do jetë e hapur për median.
Alibeaj: Në takim kam kërkuar vetëm një gjë, çdo diskutim për qëndrimin tonë për çështjen e presidentit të bëhet me median. Transparenca është ilaçi më i mirë kundrejt çfarëdo lloj kulise dhe pazari. Nesër në orën 10 jeni të ftuar për të parë diskutimin për qëndrimin që ne kemi mbajtur si grup parlamentar.
Alibeaj tha se platforma e PD është e arsyeshme, e logjikshme, i shërben interesit publik.
Alibeaj: Të ketë një proces që të jetë në shërbim të shqiptarëve se dhe produkti duhet të jetë i tillë. Të kemi një proces parlamentar që të tejçojë interesin, dëshirat, aspiratën e qytetarëve për qytetarin e parë të shqiptarëve. Kështu që presim nesër.
Ftesë direkte për pjesën tjetër të opozitës nuk pati por tha se Mediu dhe zonja Doda kanë të drejtën e tyre për të qenë në atë mbledhje.
Alibeaj: Nuk varet nga unë por nesër ajo sallë duhet dhe është e hapur për këdo që të vijë dhe diskutojë në sytë e publikut qëndrimin tonë. Edhe Mediu dhe Doda kanë të drejtën e tyre në sytë e publikut për të diskutuar atë qëndrim tonë.
Deklaratës së kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, se opozita nuk ka 20 firmat e deputetëve për të propozuar një emër për Presidentin ai i dha këtë përgjigje:
Alibeaj: Ne kemi durimin ti diksutojmë të gjithë gjërat hap pas hapi. E kuptoj shpejtësinë që do Balla dhe të tjerët të ecin shpejt e shpejt. Kushtetuta thotë se tre raundet e para duhen me 84 vota, duhet me pjesëmarrjen substanciale të opozitës. Ne kemi bërë propozimin tonë, rregullat e para dhe pastaj emrat. Kjo do ta bëjë serioz procesin. Ne kemi thënë ta kemi propozimin ne, ta ketë opozita. Ky është qëndrimi ynë. Për kërshërinë tënde po e them. Ta lëmë ta shohim. Rendja pas emrave pa vendosur ca rregulla e bën procesin joserioz, si e shkuara ka treguar.
