6 milion euro nga fondi rezervë për aktivitetet e Veliajt , Bogdani: Shkojnë "rrush e kumbulla" në vend që të lehtësojnë jetesën e qytetarëve
Ish deputeti demokrat Gerti Bogdani gjatë intervistës për Ora news tha se 6 milion euro që do ti merren shtetit nga fondi rezervë për aktivitetet e Veliajt që i ka bazuar në sloganin "Tirana Kryeqyteti i Rinisë" në vend që të shkojnë për të lehtësuar jetesën e qytetarëve, shkojnë "rrush e kumbulla".
Gerti Bogdani: Merren nga ai fond që qeveria e ka planifikuar ta ruajë rezervë për raste siç ishte pandemia, siç ishte tërmeti, siç është kjo krizë e çmimeve shumë të larta që po ndjen vendi sot. Pra këto lek në vend që të shkonin për të rikuperuar këtë gjë dhe për të lehtësuar jetesën e qytetarëve tëTiranës dhe të gjithë Shqipërisë sepse është një fond kombëtar shkojnë rrush e kumbulla për Bashkinë e Tiranës, pra për koncerte dhe ky është problemi kryesor.
"Ndërkohë që qytetarët e Tiranës dilnin e protestonin sepse litri i naftës shkoi 240 lek Bashkia jepte lek për koncert në mes të sheshit. Dhe në këtë rast e njëjta gjë merren lekët që janë për hallet e hallexhinjëve dhe për qytetarët në tërësi dhe i jepen Bashkisë për fushatë elektorale pasi pak a shumë po hyjmë në një vit elektoral, për ti bërë rrush e kumbulla", tha ai.
Gerti Bogdani: Ky është problemi sot i Tiranës dhe i menaxhimit të qytetit, menaxhohet vetëm për marketing dhe fushatë, nuk vritet mendja çfarë po ndodh me qytetarët e vet.
