PS kërkon kryetar për selinë rozë në Shkodër, Klosi: Duam ta fitojmë në zgjedhjet e 2023
Socialistët do të kërkojnë të përsërisin rezultatin e votimeve pa rivalë të 30 qershorit dhe në zgjedhjet e ardhshme vendore! Sekretari Organizativ, Blendi Klosi shpalli objektivin nga Shkodra që socialistët se kanë drejtuar kurrë në 3 dekada demokraci.
Nga bashkia që asnjëherë në këto 3 dekada nuk dolën fitues dhe ku mbajnë rekordin për mungesën e një kryetari prej më shumë se 2 vitesh, socialistët nisën procesin e përzgjedhjes së emrit që do të drejtojë degën e selisë Rozë.
Direktivat e kryeministrit Rama dhënë në asamblenë e përgjithshme nuk kanë vonuar të gjejnë zbatim dhe kupola drejtuese e PS Shkodër u thirr në një takim nga sekretari organizativ Blendi Klosi, përgjegjësja e burimeve njerëzore Anila Denaj, si dhe me praninë e kryetares së kuvendit Lindita Nikolla së bashku me të deleguarën e qarkut, ministren Edona Bilali.
Kushti i vetëm që socialistët kanë për kryetarin e ri është që të përfaqësojë komunitetin, ndërsa objektivi i tyre janë zgjedhjet e ardhshme vendore.
Blendi Klosi: “ Për të përgatitur strukturën e saj dhe pastaj raportin me komunitetin për të fituar të 61 bashkitë e vendit dhe duam të fitojmë dhe bashkinë e Shkodrës si sot një vit.”
Klosi i shmanget pyetjes nëse PS e Shkodrës është treguar e paaftë ose e dobët që nuk arriti të fitojë në 2 zgjedhjet e fundit vendore, edhe këto të 6 marsit me një opozitë të përçarë.
Blendi Klosi: “ Ne patëm një rezultat jo pozitiv në Shkodër por ama patëm një rezultat pozitiv në të gjithë Shqipërinë .”
Por a është PS në borxh me Shkodrën, pasi në qeverisjen e tyre mbahet rekordi i zhvendosjes së më shumë se 6 drejtorive rajonale në Lezhë?
Blendi Klosi: “ Ka dëshmuar gjithmonë që ne nuk shikojmë nëse votohet majtas apo djathtas.”
Ndryshe nga rivalët politik, socialistët nuk do të votojnë, por mes emrave që hyjnë në garë, një komision i përcaktuar nga qendra do të zgjedh kryetarin e ri në bazë të platformës që do të prezantojë dhe CV që mbart.